Prej dy javësh matësi i cilësisë së ajrit në Pejë është jashtë funksionit.
Matësi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për cilësinë e ajrit në Pejë gjendet në oborr të Institut Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) në lagjen “Fidanishte”.
Vlerat e cilësisë së ajrit në Pejë mund të shikohen në internet në rrjetin shtetëror të monitorimit te cilësisë së ajrit, në faqen e IHMK. Të dhëna për vlerat e ajrit në Pejë nga stacioni monitorues të cilësisë së ajrit nuk ka për Pejën. Pjesa e të dhënave është e zbrazët dhe figuron vetëm data 28 gusht, pa asnjë informacion për cilësinë e ajrit, shkruan sot Koha Ditore.
“Në stacionin monitorues të Pejës na ka ndodhur një prishje qe një javë. Pajisja e ka një afat kohor sa punon dhe bën matjet. Ato pajisje pas një kohe duhet të dërgohen për servisim në Austri ose duhet të zëvendësohen me pajisje të reja. E për shkak se stacioni në Pejë i ka pasur një periudhë të gjatë ato pajisje, ne do t’i zëvendësojmë ato me pajisje të reja”, tregon Shkumbin Shala, përgjegjës për matjen e ajrit në IHMK, arsyen pse nuk po funksion ai matës i ajrit.
Sipas Shalës, pajisjet e reja do të instalohen me projektin e MCC “Millennium Foundation”, që është program i qeverisë amerikane.