Matoshi garanton banorët e Harilaqit se deponia s’është e rrezikshme, Berisha propozon vend tjetër

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 17:23 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka vizituar Komunën e Fushë-Kosovës, për të diskutuar me kryetarin Burim Berisha rreth kundërshtimit të banorëve të Harilaqit dhe fshatrave përreth në Fushë Kosovë lidhur me vendimin e Qeverisë për ndërtimin e një deponie të mbeturinave dhe materialeve të rrezikshme në këtë fshat.

Ministri Matoshi ka garantuar banorët e Harilaqit dhe fshatrave përreth se ky ndërtim nuk paraqet asnjë rrezik për banorët, por tha se nëse konstatohet se kjo deponi është e rrezikshme, atëherë nuk do ta lejojnë ndërtimin e saj, raporton Ekonomia Online.

Matoshi u shpreh se aktualisht në atë lokacion janë duke u bërë vetëm shpime gjeologjike, kurse faza e ndërtimit, e dhënies së lejes dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis, sipas tij, janë faza të mëvonshme.

Matoshi tha se janë duke u angazhuar për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

“Patëm një bisedë të frytshme, adresuam shqetësimet që kanë dalë. Kryetari na njoftoi se shqetësimet e banorëve janë të mëdha dhe e mirëkuptojmë këtë. Po bëjmë vetëm shpime gjeologjike. Të enjten takohemi sërish. Ky ndërtim nuk paraqet asnjë rrezik”.

“Siguroj banorët se asnjë ndërtim, i asnjë lloj deponie ose magazine e cila rrezikon jetën dhe shëndetin e banorëve në atë zonë nuk do të lejohet nga Ministria e Ambientit. Të flasin ekspertët, faktet dhe pastaj veprojmë bashkë”.

Sipas Matoshit, vlera e këtij projekti është mbi 12 milionë euro, raporton EO.

“Është projekt shumë i veçantë, vlera e investimit mbi 12 milionë euro. Jemi në një fazë ku rrezikohet projekti”.

Ministri Matoshi deklaroi se mungesa e komunikimit ndërmjet komunës dhe institucioneve qendrore ka shkaktuar hamendje dhe paqartësi te banorët e fshatit Harilaq dhe zonave përreth.

Kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, tha se në takim ia bëri të qartë ministrit Matoshi se komuna dhe banorët janë kundër ndërtimit të deponisë në atë lokacion.

Për këtë çështje, sipas tij, Kuvendi Komunal do të mbajë mbledhje urgjente në të cilën do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e ministrisë. Berisha theksoi se në këtë mbledhje do të merret një vendim.

Tutje, Berisha tha se i propozoi ministrit një lokacion tjetër i cili është i përshtatshëm, rreth dy kilometra nga lokacioni aktual.

Ai tha se nuk janë kundër këtij projekti, por kundër lokacionit të zgjedhur.

“Biseduam për çështje shume shqetësuese për banorët. Kemi kërku që të ndërrohet ky lokacion. Të enjten do ta kemi një seancë të jashtëzakonshme. Asambleja do të marrë një vendim. Lokacioni i përshtatshëm është te pjesa e gurët e Betchel& Enka-s. Nuk jemi kundër projektit, por kundër lokacionit.”

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 maj kishte marrë vendim për caktimin e lokacionit për ndërtimin e deponisë për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme.

“Lejohet lokacioni për magazinimin e mbeturinave dhe materialeve të rrezikshme në Komunën e Fushë– Kosovës, Komuna Kadastrale Harilaq me parcelat kadastrale në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Pjesë e takimit ishte edhe asamblisti i pavarur në Fushë-Kosovë, Migjen Kolshi, i cili vjen nga fshati Harilaq.

  

 

Të ngjashme