Matoshi për zhdukjen e mostrave: Përdorim i frikshëm i shtetit, kosovarët s’do të marrin vesh kurrë të vërtetën për Astritin

Prishtinë | 08 Dhj 2022 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Gazetari Halil Matoshi ka reaguar pas zhdukjes së mostrave në rastin e Astrit Deharit, duke thënë se që kosovarët kurrë nuk do të marrin vesh të vërtetën për Astritin.

Në një reagim në Facebook, Matoshi tha se ky rast i Deharit është përdorim i frikshëm i shtetit për me justifiku një ideologji pa moral politik, derisa tha se Qeveria e ka mbyll rastin Dehari.

“Kosovarët kurrë nuk do të marrin vesh të vërtetën për Astritin. Pa asnjë lëvizje në zbulim edhe pse qe dy vjet në vend, pushtetin total e ka Lëvizja Vetëvendosje! Ishte nji mbyllje e pandershme e tue sakrifiku do punëtorë të rëndomtë, si kolateral. Ata qëlluen në kohë të gabueme në vendin e gabuem! Kaq”, tha Matoshi.

Në fund ai tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore është nën administrimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot në një konferencë për media njoftoi për zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të LVV’së, Astrit Dehari.

Haxhiu tha se ky është një akt i rëndë dhe kriminal.

“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Klemendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, tha ajo.

Ndërkaq sot pas këtij rasti MD, ka njoftuar se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjoret (IML), pas dyshimit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në këtë institut.

Lidhur me rastin e zhdukjes së provave në IML, të enjten, opozita parlamentare i ka reaguar ministres Albulena Haxhiu.

PDK, në një konferencë për media ka kërkuar dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiu, pas humbjes së mostrave të “Rastit Dehari” në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Gruda tha se kjo dorëheqje do t’i hapte rrugë një hetimi të pavarur të këtij rasti, dhe se ministrat nuk janë nuk janë drejtues të Ministrive për të raportuar skandalet, por për të punuar në mënyrë të ligjshme.

Ndërkaq deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se të gjitha kauzat e LVV-së duke përfshirë edhe rastin Dehari, kanë qenë propagandë vetëm për të ardhur në pushtet.

Ajo tha qe asnjë hap dhe asnjë veprim nuk është ndërrmarë nga Qeveria Kurti lidhur me rastin Dehari.

Të ngjashme