Matoshi: Me Ramushin kryeministër fiton shumë Kosova

Prishtinë | 04 Qer 2017 | 09:25 | Nga

Publicisti Halil Matoshi është i bindur se Kosova do të përfitojë shumë gjatë mandatit të qeverisë së re, të cilën do ta udhëheqë Ramush Haradinaj.

Matoshi, i cili njëherësh është kandidat për deputet në listën e koalicionit parazgjedhor PAN (PDK-AAK-Nisma), ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” se gjatë mandatit të qeverisë së re me kryeministër Ramush Haradinajn Kosova do të anëtarësohet në UNESCO, pastaj versioni aktual i Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi do të revidohet përmes rinegocimit më Podgoricën, ose do të adresohet në Arbitrazh Ndërkombëtar, do të hiqen vizat me Bashkimin Evropian, do të nënshkruhet Traktati i Paqes me Serbinë, do t’i nisin procedurat për të marrë ulësen në OKB, do të themelohet ushtria e Kosovës, etj.

”Thjesht, vendi do të fitojë një stabilitet të ri politik duke shmangur përplasjet mes grupeve shoqërore dhe politike dhe duke e rikthyer unitetin kombëtar”, thotë Matoshi.

Zëri: Z. Matoshi, çfarë ju shtyri të futeni prapë në politikë?

Matoshi: Duke qenë se jetoj në Kosovë me familjen time dhe duke qenë vëzhgues aktiv i të gjitha proceseve politike në vend që nga vitet ’80-a dhe sidomos duke e parë dhe duke e ndier degradimin e pushtetit nuk mundem të qëndroj indiferent. Sot politikani është specia më e urryer dhe më e paragjykuar në Kosovë, sepse shumë politikanë kanë abuzuar me fuqinë që ua ka veshur sovrani përmes votës së lirë. Prandaj atdheu ynë ka nevojë për një model tjetër të lidershipit, për t’ia rikthyer besimin politikëbërjes dhe institucioneve demokratike. Kosova ka nevojë për një model të ri lidershipi që nuk kthen kokën pas për ta riparuar historinë duke e vajtuar atë, por që sheh kah e ardhmja; i duhet një model politikani që jep ide politike dhe që i shfaq ato guximshëm, që përfaqëson interesat e vërteta të qytetarëve dhe që ngjall dhe përfshihet në debatin publik-demokratik; që angazhohet për një Kosovë oksidentale e jo aksidentale (orientale). Natyrisht, për një model politikani që nuk vjedh, nuk mashtron, që nuk abuzon me asnjë cent të parasë publike dhe që ka integritet moral dhe profesional. Një model politikani që me shembullin e vet dëshmon se është i pakorruptueshëm dhe që nuk korrupton, i cili nuk kërkon favore dhe që hapur ngrihet kundër nepotizmit, klientelës politike dhe pasurimit nga zyra publike!

Zëri: Ju kandidoni për deputet nga koalicioni PDK-AAK-Nisma. Kërkimi i votës nga qytetarët sa ju bën përgjegjës në rrugëtimin tuaj politik?

Matoshi: Unë një jetë njeriu kam qenë gazetar dhe opinionist. Pak profesione (ndoshta mjekësia) janë për nga përgjegjësia dhe përgjegjshmëria në hierarki më të lartë se gazetaria e paanshme dhe e besueshme. Pra, tërë jetën kam ushtruar përgjegjësinë sepse edhe fjala vret. Sepse një gazetar i papërgjegjshëm ose një politikan i lig nuk vret një njeri, por ndodh të vrasë një komb të tërë! Shihni se çfarë po ndodh me kombin sirian sot? Një politikan i lig dhe i papërgjegjshëm si Bashar Al Assadi po e rrënon përditë një qytetërim mijëravjeçar, po e rrënon shtetin dhe jetët e miliona sirianëve.

Zëri: Sa hapësirë ju është dhënë nga AAK-ja për të shpalosur dhe për të kontribuuar me qasjen tuaj politike në këtë subjekt politik?

Matoshi: Në AAK më është ofruar mundësia që unë të mbetem po ai njeri që isha një ditë para se të anëtarësohesha. Unë kam thënë që ditën e parë se politika është besim, sepse nëse nuk ke besim tek drejtuesi, atëherë ti nuk do të bësh gjëra. I kam besuar Ramush Haradinajt dhe projektit të tij për një lidership që ia rikthen Kosovës drejtësinë. Për një pushtet të njerëzve të drejtë dhe shtet të së drejtës. Pra, AAK-ja në shumë rrafshe (sidomos në shtetndërtim, kushtetutshmëri dhe drejtësi) po përafrohet me konceptet e mia liberal-demokratike.

Zëri: A mund të na thoni se cili do të jetë planprogrami juaj si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës?

Matoshi: Do të avokoj në Kuvend që të fuqizohet Ligji për Barazinë e Grave në Trashëgiminë e Pronës, për ligjbërje e cila mbron dhe subvencionon njerëzit e kulturës, artistët, shkrimtarët dhe aktorët; do të loboj fuqishëm tek qeveria e ardhshme që aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës t’u ngrihen pagat prej 100%; do të angazhohem që të bëj presion politik te kryeministri në ardhje Ramush Haradinaj të nisë ndërtimi i operës “Ibrahim Rugova” dhe që të mos mbetet vetëm gropa aktuale; do të angazhohem që ish-Qendra Informative e Kosovës QIK të subvencionohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe “Kosova.com” të nisë punën si agjenci shtetërore e lajmeve; do të angazhohem me të gjitha kapacitetet morale dhe politike që në këtë legjislaturë të draftohet Ligji për Pensionet Suplementare për Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës 1991 – 2008.

Zëri: Në çka do të angazhoheni më së shumti?

Matoshi: Prioritet imi do të jetë angazhimi maksimal në avokim dhe lobim në Kuvendin e Republikës dhe në qeverinë që do të drejtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj që secili shqiptar etnik dhe secili qytetar kosovar ta ketë të drejtën e kthimit në atdhe dhe të drejtën e një strehe, (do të angazhohem për krijimin e një agjencie shtetërore për strehim e jo t’i shoh bashkëqytetarët e mi tek ligen së qari para fëmijëve të tyre, duke u shkaktuar trauma jetësore atyre, duke lypur lëmoshë për një shtëpi banimi!). Pra, do të angazhohem fuqishëm për t’ua bërë të mundshme njerëzve t’i realizojnë ëndrrat e tyre dhe të drejtën për lumturi.

Zëri: Për çka ka nevojë më së shumti vendi ynë që të merret një hap i duhur e të ndryshohet, pra të jetë dikush prijës i një ndryshimi apo i një të mete e që ju do të dëshironit ta bënit këtë?

Matoshi: Do të luftoj për instalimin e modelit të ri të përfaqësimit të qytetarisë kosovare në Kuvendin e Republikës duke u bërë zëri i atyre që nuk kanë zë; për të instaluar frymën e debatit cilësor dhe për humanizmin e Kuvendit. Thjesht, në Kosovë duhet të instalohet etika e pushtetit si mjet për realizimin e ideve politike dhe reformave e jo si qëllim në vetvete!

Zëri: Nëse në zgjedhjet e 11 qershorit zotëri Haradinaj del fitues si kryeministër për katër vjetët e ardhshme sa do të ndryshojë vendi ynë?

Matoshi: Gjatë mandatit të zotëri Haradinajt besoj se Kosova tashmë do të anëtarësohet në UNESCO, versioni aktual i Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi do të revidohet përmes rinegocimit me Podgoricën ose do të adresohet në Arbitrazh Ndërkombëtar; Kosova do të marrë liberalizimin e vizave; do të nënshkruhet Traktati i Paqes me Serbinë dhe t’i nisë procedurat për të marrë ulësen e vet në OKB; do të krijohet ushtria kosovare… Thjesht, vendi do të fitojë një stabilitet të ri politik duke shmangur përplasjet mes grupeve shoqërore dhe politike dhe duke e rikthyer unitetin kombëtar.

Zëri: Për fund, cili është synimi juaj që do të dëshironit të arrinit deri në fund të legjislaturës?

Matoshi: Nëse zgjidhem deputet i Kuvendit të Republikës do të nisë që në seancën e parë arsyetimin, lobimin dhe të marr përkrahjen për t’i nisur procedurat që Kuvendi t’ua rikthejë Pallatin e Shtypit (tash objekt qeveritar) medieve. Do të angazhohem për mbrojtjen dhe akomodimin e medieve dhe të gazetarëve duke ua rikthyer televizioneve nacionale dhe gazetave e portaleve më të etabluara në Kosovë, kurse për gazetarët veteranë që kanë më shumë se 30 vjet punë në gazetari të sigurohet pension suplementar. Besoj se këto janë arsye të bollshme që qytetarët e Kosovës ta votojnë Halilin, numrin 44, që ka për ta ngritur zërin qytetar në Kuvend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme