Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në kuadër të vizitës në Shkup, ka theksuar se referendumi është mundësi unike për të shënuar histori në vend.
“Jemi të gatshëm që t’ju dëshirojmë mirëseardhje si anëtare e 30-të në aleancën tonë”.
“Vota në referendum është vota më e rëndësishme historike e vendit tuaj”, ka theksuar Mattis, duke shtuar se këtë porosi do t’ia përcjell edhe kryetarit të shtetit Gjorgje Ivanov.
Mattis Maqedoninë e ka cilësuar si “shtet partner i përgjegjshëm i aleancës”
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.
Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov, dhe , ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell. Shkup 13 shtator 2018
Lexoni edhe këtë:
Mitchell: Votoni në referendum, është mundësi historike që s’përsëritet
“Shteti juaj sapo e shënoi përvjetorin e pavarësisë, prandaj në këtë formë edhe ju do të vendosni në referendum, i cili do t’ju mundësojë bashkimin e shtetit tuaj me 29 shtete tjera anëtare në NATO”.
“Duke iu bashkangjitur NATO-s, ju do të rritni sigurinë e shtetit tuaj dhe kjo do të sjellë ekonomi dhe siguri më të lartë. Ashtu siç u rritën investimet në Mal të Zi, të njëjtat do të rriten edhe në Maqedoni”, ka thënë sekretari amerikan.
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ka thënë se vizita e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes vjen në një moment shumë të rëndësishëm para mbajtjes së referendumit, datës kur përcaktohet e ardhmja e Maqedonisë.