Ryan Maxwell, 35-vjeçar, tregohet shumë i sinqertë kur pyetet se për çfarë arsye ndërroi 27 klube prej kohës kur ishte bashkëlojtar me John Terryn te të rinjtë e Chelseat.
“E kam dëmtuar karrierën time si lojtar. Nuk është faji i askujt, veçse imi”, thotë Maxwell, që është nga Irlanda e Veriut.
Prejse ishte liruar nga Chelsea për çështje disiplinore, Maxwell pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në rrethin e klubeve amatore si mesfushor aventurier, duke u paraqitur për 27 ekipe në katër shtete të ndryshme, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.
Karriera e tij përfshin edhe nga tri angazhime në dy klube – Grays Athletic e Heybridge Swifts – ndërsa është liruar në moshën 31-vjeçare nga Sudbury për konfrontim me tifozët.
“Mendoj se nganjëherë më keqkuptojnë”, shton Maxwell.
Të shtunën ish-reprezentuesi i ekipit U21 të Irlandës së Veriut për herë të parë do të jetë trajner në një ndeshje të FA Cup. Ai do të udhëheqë ekipin e tij Walthamstow kundër rivalit nga kategoria e nëntë Walsham-le-Willows – njëra prej 184 ndeshjeve të raundit parakualifikues që do të zhvillohen të premten, të shtunën dhe të dielën. I angazhuar në rolin lojtar-trajner në muajin shkurt, Maxwell po planifikon të mësojë nga gabimet e së shkuarës dhe ta udhëheqë ekipin e vogël nga verilindja e Londrës të paktën në ndonjë raund më lartë për të përfituar para.
“Përfundimisht karriera më ka shkuar huq, por më ka mësuar që të mos i lejoj të tjerët që të veprojnë sikur unë”, thotë Maxwell.