Në konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në të cilën u prezantuar raporti për Legjislaturën e X-të të Kuvendit të Kosovës, u diskutua për sfidat që e kanë përcjellë punën e Kuvendit dhe Qeverisë gjatë kësaj periudhe, përfshirë mungesën e konsensusit politik, procedurat e përshpejtuara ligjvënëse, krizën rreth zgjedhjes së presidentit dhe raportin ndërmjet shumicës parlamentare dhe opozitës, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesi nga Lëvizja Vetëvendosje i arsyetoi veprimet e mazhorancës, ndërsa përfaqësuesit e partive opozitare kritikuan mënyrën e qeverisjes dhe funksionimin e Kuvendit.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, tha se Qeveria dhe shumica parlamentare kanë vepruar me ritëm të shpejtë për shkak të nevojës për vendimmarrje efikase dhe jo për të shmangur demokracinë.
“Qeveria dhe shumica parlamentare kanë vepruar në një ritëm të shpejtë për shkak të nevojës për vendimmarrje efikase dhe jo me idenë për të shmangur demokracinë. Çdo projektligj që ka kaluar në institucionet përkatëse dhe asnjë vendim nuk është marrë jashtë rendit kushtetues. Për kritikat ndaj transparencës së kabinetit qeveritar, Qeveria Kurti ka ndërtua qeverinë mbi bazën e besimit qytetar dhe rezultateve zgjedhore. Emrat dhe struktura e kabinetit janë prezantuar në Kuvend sipas procedurave kushtetuese”, ka thënë Kërçeli.
Ndërsa, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, kritikoi ekspozenë e Kryeministrit, duke thënë se aty u përsëritën premtime të vjetra pa u dhënë llogari për mosrealizimin e tyre.
“I kishim të njëjtat premtime që ishin dhanë edhe para gjashtë viteve dhe në atë ekspoze paraqiteshin sikur premtime të reja pa dhanë asnjë llogari se çka është bë këto gjashtë vjet që nuk është realizuar të paktën ndonjëra prej tyre”, u shpreh ai.
Tutje, Mustafa shtoi se Kryeministri Albin Kurti atë ditë kur paraqiti ekspozenë foli sikur po dilte për herë të parë dhe po paraqiste vizionin e tij si kryeministër.
“Pra, pa dhënë asnjë llogari, asnjë përgjigje pse nuk është realizuar të paktën një nga ato projektet e mëdha, u prezantoheshin aty sikur të ishte një vizion i ri dhe kjo ishte joserioze”, shtoi ai.
“Asnjë nga premtimet e mëdha që u paraqitën në ekspoze, nuk ishin të buxhetuara. Pra, kishim një shkëputje totale mes asaj që paraqiti Kryeministri në ekspoze dhe buxhetit që e solli në Kuvend për votim”, ka theksuar ai.
Kurse, ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se kjo legjislaturë është karakterizuar nga arroganca e shumicës parlamentare në përcaktimin e agjendës kuvendare dhe legjislative.
“Prej zgjedhjeve të kaluara dhe kjo legjislaturë, vërtetë karakterizohet me një arrogancë të shumicës në përcaktimin e agjendës kuvendare, agjendës legjislative. Kemi parë një prezantim të një agjende që ka synuar me çdo kusht t’i thyej të gjitha afatet kohore vetëm për t’i proceduar projektligjet dhe cilësia e këtyre ligjeve nuk ka qenë asnjëherë preokupim i shumicës”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu tha se që nga fillimi ka munguar gatishmëria për marrëveshje politike dhe konsensus mes partive parlamentare.
“Sot po na thuhet që është ditë që do të shkojmë në zgjedhje, ne si deputetë nuk e kemi pasë prej fillimi ndjenjën që do të shkojmë në zgjedhje, por kjo tregon vërtetë për një planifikim të shkuarjes në zgjedhje dhe një mosgatishmëri pikërisht të parimeve kryesore demokratike që janë marrëveshjet politike dhe konsensusi. Të dyja këto parime me gjasë në mënyrë arrogante janë hequr nga aplikimi në agjendën e Kuvendit”, u shpreh ish-deputetja e LDK-së.
Ish-deputeti i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se legjislatura kishte nisur me mungesë të informacionit bazik për deputetët lidhur me programin dhe përbërjen e Qeverisë.
“Në ditën e nisjes së Kuvendit, është kërkuar votë prej deputetëve pa e pasur përpara deputeti së paku ekspozenë, së paku një orientim të politikave strategjike që Qeveria e ka bë. Për më keq nuk e kemi pasur as listën e ministrive dhe as emrat ministrave që vinë”, ka thënë ai.
Tahiri shtoi se legjislatura ka nisur mbrapsht, pasi sipas tij të gjithë e kanë ditur se prioritet ishte formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentit, ndërsa ka pasur tendencë për dominim të agjendës së Kuvendit në vend të zhbllokimit të situatës politike.
“Nëse bëjmë një analizë të kësaj legjislature, janë dy momente “historike”, parlamentare. E para kjo është legjislatura më e shkurtër në histori të Kosovës dhe e dyta më së shumti ka kërkesa për seanca të jashtëzakonshme shumica, në të kaluarën e ka pasur opozita”, është shprehur Tahiri.



