Mungesa e njohjeve nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian po bënë që për Kosovën anëtarësimi në BE të mbetet vetëm një ambicie imagjinare, pasi që këto shtete kanë rol vendimmarrës në politikat e Bashkimit Evropian.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online, profesori i Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku.
“Dimensioni tjetër ka të bëjë me Bashkimin Evropian që vet BE gjendet në një situatë jo shumë të lakmueshme dhe përveç kësaj vet BE nuk ka pasur kapacitete të mjaftueshme absorbuese për ta pasur një politikë efektive të zgjerimit sa i përket të gjithë Ballkanit Perëndimor në këtë rast të pikës së vetme të hapur dhe të pa mbyllur që është rasti i Kosovës. Dhe kur po e them këtë është pikërisht mungesa e pesë njohjeve nga ana e pesë shteteve anëtare të Bashkimi Evropian”, ka thënë Mazreku.
Mazreku ka thënë se pikërisht për shkak të mungesës së njohjeve nga këto pesë shtete nuk mund të thuhet që Kosova ka raporte normale me Bashkimin Evropian.
“Pikërisht mungesa e këtyre njohjeve e dekompozon esencialisht procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian për shkak se shtetet kanë rol në vendimmarrjen politike të Bashkimit Evropian dhe si rezultat i kësaj Kosova ende fatkeqësisht nuk mund të pretendoj dhe në fakt është ambicie imagjinare me mendu që Kosova ka raporte normale me Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në Kosovë ka mungesë të vullnetit politik për të quar përpara proceset integruese të Kosovës.
“Kur flasim për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian mendoj se duhet ti shohim në dy dimensione, dimensioni i parë që ka të bëjë me zhvillimet e brendshme në vend, ka të bëjë me vullnetin politik në vend në Kosovë që nënkupton se sa klasa politike vendimmarrëse është e gatshme për tu marrë me plotësimin e kritereve të stimuluara qartë nga procesi i aksesionit dhe këto kritere në rastin e Kosovë kanë deficit të madh sa i përket plotësimit të tyre për shkak të mungesës së vullnetit politik”
Kosova ka ngecje të mëdha sa i përket implementimit të marrëveshjeve që ka me Bashkimin Evropian, sipas tij, Marrveshja e Stabilizim Asocimit nuk po gjen implementim sa i përket dy pikave më kritike të kësaj marrëveshje që është reforma në Sektorin Publik dhe atë doganor ka thënë Mazreku.
“Nëse flasim për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe masim shkallën e Implementimit të kësaj marrëveshje shihet që kjo len shumë për të dëshiruar pikërisht për dy drejtime kryesore që kanë të bëjnë me reformën në sektorin publik dhe reformën në sistemin doganor që të dyja këto janë një ndër pikat më kritike të kësaj marrëveshje dhe në këto dyja Kosova ka ngecje që ka ardhur si rezultat i mungesës së vullnetit politik për ti ndërmarr këto reforma”,ka thënë ai.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit ai ka thënë se në Kosovë ka mungesë të institucioneve efektive që do të përballeshin në vazhdimësi me këtë fenomen negativ.
“Unë mendoj që lufta kundër korrupsionit dhe fenomeneve të tjera joligjore që ndodhin me një shoqëri fare është Kosova por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka të bëjë po ashtu me mungesën e vullnetit politik. Lufta kundër korrupsionit është diçka që nuk përfundon me një veprim të vetëm apo me dy ose tri veprime por ka të bëjë me institucionet efektive të atij shteti që ato në vazhdimësi me u përball me këtë fenomen negativ”.
“Ta kemi të qartë që korrupsion ka shumë edhe në vet mekanizmat e Bashkimit Evropian në Kosovë që nëse e shohim raportin e gjykatës së auditorëve të brendshëm të vitit 2012 flitet për qindra miliona euro të keqpërdorura nga ana e vet mekanizmave të BE-së prezentë në Kosovë. Nuk është e drejtë që Kosova të gjykohet nga BE se përse nuk bënë veprime të mëdha dhe të dukshme në funksion të kësaj dhe të kualifikohet pastaj negativisht. Kosova duhet të gjykohet kushtimisht në raport me kapacitetin institucional që e ka krijuar vendi në këtë fushë”, ka thënë ai.
Sa i përket zhvillimeve politike që kanë ndodhur ditëve të fundit në Kosovë ai ka thënë se populli i Kosovës ka nevojë për të parë klasën politike duke manifestuar koncenzus nacional në funksion të zgjidhjes së temave apo çështjeve nacionale.
“Klasa politike e ka për obligim që ku ka interesa nacionale duhet të gjejë kompromis nacional dhe qasja duhet të jetë në interesave strategjike të vendit e jo të përdoren temat e mëdha siç është Demarkacioni, Ushtria, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, Gjykata Speciale, procesi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian sepse këto janë tema me interes nacional”, ka përfunduar ai.