Mbahet akademi përkujtimore për heroin Safet Peci-Boletini, vlerësohet lart vepra dhe heroizmi i tij

Mitrovicë | 31 Maj 2024 | 14:36 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë është mbajtur akademi përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të rënies së heroit Safet Peci-Boletini, raporton Ekonomia Online.

Në këtë akademi u shfaq edhe një film dokumentar kushtuar komandant Tigrit, i cili u realizua nga autorët Mentor Tahiri edhe Pranvera Jusufi me përkrahje të ministrit Faton Peci.

Me këtë rast një fjalim rasti mbajti ish-komandanti i UÇK-së, Ali Januzi, i cili tha se me këtë organizim po përkujtohet heroizmin i Safet Boletinit dhe i UÇK-së.

Ai ka theksuar se vepra, gjaku dhe heroizmi i dëshmorëve do të reflektojë brez pas brezi.

Ai po ashtu është shprehur Safeti dhe UÇK është frymëzuar nga paraardhësit, që nga Skënderbeu e Isa Boletini.

“Për ne dhe për të gjithë është një ditë e veçantë sepse po e përkujtojmë heroizmin e Safet Boletinit, po e përkujtojmë heroizmin e UÇK-së. Këtë ditë e sollën ata që nuk janë në mesin tonë, është vepra e tyre, është heroizmi i tyre, ajo vepër, ai gjak dhe ai heroizëm i tyre do të reflektojë brez pas brezi. Bazament i lirisë janë dëshmorët, janë heronjtë e kombit. Safeti, u dallua, në pamje të parë u duk që është i emancipuar e i ngritur edhe në aspektin kombëtar edhe në atë politik. Safeti dhe UÇK-ja janë frymëzuar nga paraardhësit tonë, që nga Skënderbeu e Isa Boletini, e paraardhësit tjerë”, ka thënë ai.

Gjatë ditës janë bërë edhe homazhe te varri i heroit Safet Peci-Boletini, si dhe të shtatorja e tij, nga familjarë, miq e përfaqësuesi i Qeverisë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Të ngjashme