Miq e dashamirë të valles dhe muzikës shqiptare, e kanë kujtuar koreografin dhe drejtorin e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër, Agron Bajrami.
Në akademinë përkujtimore të mbajtur në Prishtinë është vlerësuar lartë vepra e Bajramit.
Haki Mulliqi, tha se Bajrami ka thënë gjurmë në interpretimin e valles shqiptare.
“Agroni punën e bëri me shumë dashuri dhe pasion duke lënë gjurmë të thella në interpretimin e valles shqiptare”.
“Ata që e kanë njohur e dinë se sa i përkushtuar ishte Agroni në angazhimet e tij që të mos dështonte kurrë”.
Ndërsa, gruaja e të ndjerit, Lirie Bajramit, ndonëse fjalë pak, tha se shkolla e vallëzimit në Zvicër do të shënoj 25-vjetorin e themelimit ashtu siç e dëshiroi koreografi, Agron Bajrami.
Ndërsa, miku i Bajramit, Emin Sahiti, tha se ai e ruajti kulturën dhe ua mbolli atë brezave të rinj.
Koreografi dhe drejtori i Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër, Agron Bajrami ka vdekur më 12 mars të këtij viti, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë.
Agron Bajrami është i lindur në Prishtinë, në vitin 1964. Në kohën sa ka jetuar në Kosovë ai ka qenë anëtar i Ansamblit të Valleve “Shota”, ndërsa me ardhjen në Zvicër ai ka themeluar në vitin 1993 Shkollën e Vallëzimit Shqip “Shota” me seli në Aarau.
Përveç si artist i shquar i valles, Agron Bajrami është marrë edhe me arte pamore dhe me kamerë. Ai ka punuar disa vite si kameraman në një televizion të Zvicrës.