Mbahet Akademi përkujtimore për tre dëshmorët e lirisë, Enver e Shani Morina dhe Sahit Shala

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Më rastin e shënimit të 30 vjetorit të rënies së tre dëshmorëve, Enver e Shani Morina dhe Sahit Shala, të rënë në demonstratat e vitit 1990, në sallën e Kulturës, është mbajtur Akademi Përkujtimore, ku merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë komunal, anëtar të Kuvendit, familjarë të të rënëve, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së dhe shumë qytetarë.

Fillimisht, kryetari Lladrovci ka bërë homazhe dhe ka vendosur buqeta me lule të freskëta në varrezat ku pushojnë dëshmorët, pastaj së bashku edhe me delegacione të tjera, në vendin e rënies së tyre kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule.

Në Akademinë Përkujtimore, kryetari Lladrovci para të pranishmëve tha se vitet e 80-ta e ndezën zemrën e rinisë, ballë me tanket serbe, duarthatë por me ideale të pathyeshme. “Ndërsa në vitet e 90-ta, anekënd Kosovës, po ndizej një zjarr nga i cili do të lindte liria, zjarr i cili dëboi pushtuesin, duke kulmuar me fitoren historike të popullit tonë në krye me UÇK-në dhe komandantin legjendar, Adem Jashari. Tre dëshmorët, ishin pararendësit e heronjve që me armë në dorë do të hakmerreshin për gati një shekull robëri. Andaj sot, me nderim të thellë i kujtojmë dëshmorët, bashkëveprimtarët tanë, tre dëshmorët Enverin, Shaniun e Sahitin, duke u zotuar se ëndrrën e dëshmorëve do ta bëjmë realitet, me punën e përkushtim”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme