Është duke u mbajtur gara përmbyllëse e “Z Mobile Streetball Kosova International 2018”. Kjo garë është duke u mbajtur si vazhdimësi e turneut kualifikues në Streetball e cila që një muaj rresht është duke mbajtur gara në 6 qytetet kryesore të Kosovës dhe duke u përmbyllur me ditën e sotme, në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Agon Fehmiu, Kryetar i Shoqatës së StreetBall Kosova tha se sot po mbahet gara përmbyllëse e turneve kualifikuese që është mbajtur në 6 qytetet kryesore të Kosovës dhe e sotmja në Prishtinë. Ai tha se për një muaj janë mbajtur garat në qytetet kryesore, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Mitrovicë dhe sot në Prishtinë.
“Gara e sotme që po mbahet në Prishtinë është gara përmbyllëse e turneve kualifikuese nëpër të gjitha qendrat e Kosovës, në 7 qytetet kryesore të Kosovës që do të jap edhe superfinalistin e 8-të dhe ekipin e fundit që nxjerr vizën finale për super finalen e sivjetme të kampionatit të 19-të të Republikës së Kosovës në StreetBall”, tha Fehmiu.
Fehmiu tha se nënkampioni i edicionit të kaluar i cili ka qenë ekipi “Shmekat” nga Prizreni, ka fituar të drejtën e garimit për në superfinalen që do të mbahet javën e ardhshme në Prishtinë.
“Është edicioni i 19-të i kampionatit të Kosovës në Streetball dhe fituesi javën e ardhshme do të shpërblehet me të holla, sikurse vendi i dytë. Fituesi merr të drejtën e kualifikimit direkt në superfinalen e edicionit 2019”, shtoi Fehmiu, raporton Ekonomia Online.
Fehmiu tha se vitin e kaluar për shkak të problemeve financiare nuk kanë qenë mundësitë të ketë gara nëpër të gjitha qytetet e Kosovës dhe garat janë mbajtur vetëm në qytetin e Prishtinës, por këtë vit ka qenë më ndryshe ku kjo mundësi është realizuar.
“Sivjet çmimi ka me qenë 800 euro për vendin e parë dhe 400 për vendin e dytë, ndërsa ekipi që fiton vendin e parë bëhet kampion i Kosovës në Streetball, automatikisht kualifikohet për superfinale të edicionit të ardhshëm”, shtoi në fund Fehmiu.