Në organizim të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, në Tiranë është mbajtur konferenca “Aspirata për një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë”.
Merrnin pjesë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami; ministri e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, e ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, Milva Ekonomi.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Bajrami tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, duke vënë theksin të reformat strukturore dhe fiskale cilat janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në të mirë të përmirësimit të ambientit afarist.
Ndërsa, sa i përket zbatimit të marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Shqipërisë ajo potencoi se marrëveshjet e nënshkruara po zbatohen në tërësi por kërkohet nga komuniteti i biznesit që të jenë me bashkëpunues dhe të shohin fushat me interes të përbashkët.
Ajo njëherësh potencoi se dialogu po vazhdon mes Qeverive dhe Qeverive e bizneseve për t’i adresuar të gjitha çështjet që bizneset mund t’i konsiderojnë si pengesa të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona.
Po ashtu, ministrja Bajrami nënvizoi se ekziston vullneti politik për mbështetje të bashkëpunimit ekonomik. Ajo tregoi se tregoi se në vitet 2015/2016 janë adresuar një sërë çështjesh tregtare.
Bajrami tha se fokusi i politik-bërjes sonë është që të ngrisim kapacitetet prodhuese në mënyrë që të zëvendësojmë në pjesë të importeve dhe jemi shumë të interesuar të kemi investime në prodhim dhe industri përpunuese.
Po ashtu, ministrja Bajrami shprehu gatishmërinë e saj dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të mbështesë të gjitha iniciativat e bizneseve, asociacioneve të biznesit për bashkëpunim në mes të dy vendeve, të cilat do të ndikonin në nxitjen e këtij bashkëpunim me interes të dyanshëm.