Mbahet konferenca mjekësore për rrezikun nga lëndimet sportive

Prishtinë | 09 Maj 2017 | 10:31 | Nga Albulena Avdiu

Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur konferencën e parë mjekësore mbi “Lëndimet sportive, Perspektiva ortopedike dhe traumatologjike” me qëllim të ngritjes së vetëdijes për sëmundjet që mund të vijnë gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive në mënyrë që të evitohet rreziku që mund të vijë nga lëndimet.

Besim Hasani, president i KOK-ut tha se pranimi i federatave nëpër garat ndërkombëtare kërkon një angazhim më të madh për të përballuar sfidat që mund t’i kenë, raporton Ekonomia Online.

“Pranimi i federatave tona në federatat ndërkombëtare pa dyshim që i ka hapur mundësi që po ju krijohet sportistëve dhe trajnerëve na bien para një sfide të re që të jemi sa më të përafërt me të tjerët përkundër 22 viteve të izolimit. Kjo konferencë është pjesë e një plani që ka KOK” tha ai.

Ai tha se sporti është në shërbim të shëndetit dhe kjo mbetet njëra anë e medaljes, ndërsa shtoi se nga ana tjetër është permanent rreziku nga sëmundjet që vijnë nga lëndimet.

“Duke qenë vet sportist kam shembuj të shumtë që pikërisht lëndimet apo sëmundjet e kanë ndërprerë karrierën e dikujt andaj ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodh. Ne duhet të synojmë që ato ti minimizojnë dhe përmes kësaj konference të gjithë ne të mësojmë dhe ti zbatojmë në praktikë e cila të jetë në funksion të sportistëve”, tha ai.

Mjeku ortoped, Cen Bytyqi shpjegoi sëmundjet apo lëndimet që mund të ndodhin gjatë aktiviteteve sportive.

Ai tha se lëndimet mund të ndodhin që në fëmijërinë e hershme përderisa fëmijët kanë një përfshirje të madhe në aktivitetet sportive.

“Fëmijët sot janë pjesëmarrës aktiv të shumë aktivitetet. Afro 3 deri në 11 për qind e fëmijëve marrin lëndime në sport prandaj ne duhet të merremi me këtë” tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme