Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahet seancë e jashtëzakonshme lidhur me Raportin e Komisionit Evropian.
Kryesia vendosi që sipas kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues, që në orën 12, të mbahet seancë e jashtëzakonshme.
Më 26 prill, ndërkaq, do të vazhdojë seanca e ndërprerë dje, me pikat e mbetura.
Një javë më pas, më 3 maj, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, në të cilën do të shqyrtoj disa projektligje dhe çështje të tjera.
Kështu, fillimisht, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për Ekstradim,
Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe atë për Amnistinë.
Më pas, pritet të emërohen drejtori dhe zëvendësdrejtori i Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe të formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar.
Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e Propozimit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, si dhe të propozimit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbështetur edhe nga deputetët nënshkrues të grupeve të tjera parlamentare për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë të Republikës së Kosovës.