Zv/ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli mori pjesë në takimin e përbashkët në mes partnerëve social të përbërë nga punëdhënës, punëmarrës dhe përfaqësues zyrtarë nga Qeveria e Kosovës me temën “Tryezë për Siguri dhe Shëndetin në Punë”, organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK. Qëllimi i kësaj tryeze ishte koordinimi i mirëfilltë në mes partnerëve social si dhe ndërrmarrja e hapave në shtytjen dhe inicimin e shtetit drejt implementimit të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, i miratuar qysh më herët.
Dukolli gjatë kësaj tryeze falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij takimi dhe ka bërë të ditur se siguria dhe shëndeti në punë vazhdon të jetë ndër prioritet kryesore të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ai më tej shtoi se legjislacioni që mbulon sferën e sigurisë dhe shëndetit në punë tanimë është i rregulluar dhe janë inkoorporuar të gjitha direktivat e BE-së.
“Fillimisht shprehu mirënjohje për organizimin e kësaj tryeze e cila ka për qëllim adresimin e sfidave të sigurisë dhe shëndetit në punë, ku vazhdon të jetë prioritet i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. MPMS është sponzorizues i Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë ku përfshin të gjithë gamën dhe rregullon çështjet e ndryshme profesionale që kanë të bëjnë me aspektin e shëndetit dhe sigurisë në punë. Jemi duke punuar si çdo vitë tjetër, edhe këtë vit të kemi një fushatë vedijësuese sa i përket rrespektimit të të drejtave të punëtorëve”, tha ndër tjerash zv.ministri Dukolli.
Dukolli mëtej shtoi se një tjetër angazhim që ka marrë Qeveria në ketë drejtim është edhe funksionalizimi i Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (KNSSHP), një këshill më përbërje mikse nga qeveria dhe partnerët social.
“Këshilli ka vizituar institutet e mjekësisë së punës në Obiliq dhe Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë, jemi njohur me punën dhe kapacitetet e këtyre qendrave, gjithsesi në rolin tonë rekomandues do të adresojmë secilën çështje që lidhet me sigurinë në punë, ruajtjen dhe shëndetin e punëtorëve. Ky këshill do ti rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë që sa më parë vendi ta ketë Regjistrin e Sëmundjeve Profesionale”, ka thënë Dukolli.
E pranishme në këtë takim ishte edhe përfaqësuesja e Konfederatës të Sindikatave Ndërkombëtare –ITUC – PERC znj. Enisa Salimovic e cila në fjalën e saj përshëndetëse tha se e vlerëson mjaftë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke të sindikatave në nivel ndërkombëtarë.
E rëndësishmja që u tha në këtë tryezë nga panelistë të ndryshëm ishte se duhet bërë më shumë në implementimin e ligjeve që rregullojnë fushën e shëndetit dhe sigurisë në punë, gjegjësishtë zbatimin e tyre.