Kylian Mbappé është rikthyer të flasë për garën për Topin e Artë, pas deklaratave të tij të fundit që shkaktuan diskutime dhe që thuhet se e kishin bezdisur edhe Ousmane Dembélén.
Sulmuesi i Real Madridit ka mbërritur në Clairefontaine për grumbullimin e parë të Francës nën drejtimin e Zinedine Zidane, ku është takuar sërish edhe me Dembélén.
Në sfond mbetet gara për Topin e Artë dhe debati i krijuar nga deklaratat e fundit të kapitenit të Francës.
Megjithatë, gjatë një aktiviteti të organizuar nga sponsori i tij i ri teknik, ON, Mbappé ka zgjedhur të mos e ushqejë më tej polemikën, përcjell “Gazeta Express”.
“Mendoj se kam thënë tashmë gjithçka për këtë çështje. Njerëzve nuk u pëlqen që flas shumë për të, por kështu është. Jam i qetë, kam bërë gjithçka që mundesha dhe mendoj se kam bërë mirë. Tani mbetet vetëm të presim”, u shpreh Mbappé.
Mbappé: “Topi i Artë nuk është një obsesion”
Pak ditë më parë, në një intervistë për RFI, ylli i Real Madridit i kishte shpjeguar arsyet pse beson se është kandidat për çmimin prestigjioz individual.
“Topi i Artë është një objektiv për çdo futbollist, por nuk besoj se është një obsesion. Në zarf nuk do të shpallet një skuadër, por një lojtar”, kishte deklaruar francezi.
Mbappé kishte shtuar se statistikat e tij flasin në favor të tij:
“Kam qenë golashënuesi më i mirë në të gjitha kompeticionet kryesore dhe mendoj se ky mund të jetë një vit i mirë për mua”.
“Nuk kam dashur kurrë t’u pëlqej të gjithëve”
Francezi e kishte konfirmuar gjithashtu një deklaratë të mëparshme që kishte shkaktuar shumë diskutime:
“Gjithmonë kam qenë i zgjedhuri. Nuk ka pasur askush më të mirë se unë sezonin e kaluar”.
Mbappé e ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend ta ndryshojë mënyrën e tij të të shprehurit vetëm për t’u pëlqyer të gjithëve.
“Nuk kam dashur kurrë t’ju pëlqej të gjithëve, sepse kjo nuk është e mundur. Nuk mund të jem një person tjetër. Përpiqem të jem vetvetja, me cilësitë dhe të metat e mia, me fitoret dhe dështimet e mia”, tha ai.
Tani vëmendja e Mbappés zhvendoset te Kombëtarja e Francës dhe sfidat e para nën drejtimin e Zinedine Zidane. /Gazeta Express