Fshatit Raushiq i është bllokuar kanali i ujitjes nga mbeturinat. Gjatë sezonit të verës ky kanal përdoret për ujitjen e tokave të fshatit Raushiq dhe të disa fshatrave të tjera në Lugun e Baranit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjatësia e tij është 16 kilometra nga vendi ku ndahet prej lumit e deri në fund të tij, afër fshatit Dubovik të Deçanit.
Gjatë muajve të tjerë të vitit ky kanal akumulon ujërat atmosferike.
Enver Zekaj, banor i fshatit Raushiq, shpreh shqetësimet e tij dhe të bashkëfshatarëve të tjerë për këtë problem të vazhdueshëm me të cilin po përballen gjatë tërë vitit.
“Kemi probleme me këtë kanal të ujitjes që kalon edhe nëpër fshatin tonë. Ai po bllokohet vazhdimisht nga mbeturinat që po hidhen nga banorët në qytetin e Pejës dhe ato mbeturina po vijnë e po bllokohen aty. Kjo po ndodh çdo vit dhe nuk ka përmirësim të gjendjes. Gjithmonë e kemi kështu. Vijnë e pastrojnë nganjëherë, por prapë shfaqet pas disa ditësh problemi i njëjtë prej mbeturinave”, ankohet Zekaj.