Mbi 1 mijë të burgosur do të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit

Prishtinë | 11 Shk 2021 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Më shumë se njëmijë të burgosur dhe të paraburgosur që aktualisht vuajnë dënimin në Qendrat Korrektuese dhe në Qendrat e Paraburgimit në Kosovë, të dielën do të japin votën e tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), i ka dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listën prej 1 mijë e 351 të burgosurve me të drejtë vote, për zgjedhjet e së dielës.

Zyrtari i lartë për komunikim me publikun në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), Florent Gashi për Express ka dhënë detaje rreth mënyrës se si do të votojnë këta të burgosur.

“Aktualisht në institucionet korrektuese, 1351 të burgosur kanë të drejtë vote. Shërbimi Korrektues i Kosovës(SHKK) i ka dërguar listën KQZ’së me këtë numër”, ka thënë Gashi

Sipas tij procesi i votimit do brenda burgjeve do të zhvillohet në të njëjtën kohë me zgjedhjet që zhvillohen jashtë.

“Votimi do të zhvillohet ditën e njëjtë me 14 shkurt të dielën, procesi do të zhvillohet në të njëjtën kohë me zgjedhjet që do të zhvillohen jashtë”, ka deklaruar më tutje ai.

E ShKK’ja sipas Gashit u ka krijuar të gjitha kushtet në mënyrë që të burgosurit të japin votën e tyre në zgjedhjet e së dielës.

Në ndërkohë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Neni 45, çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.

Ndërsa sipas KQZ’së lista përfundimtare e votuesve brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 14 shkurt, përmban: 1 milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve.

Në këto zgjedhje janë 143 mijë e 6 votues më pak se në Zgjedhjet për Kuvend të 6 tetorit 2019, pasi nga kjo listë janë larguar 122 mijë e 421 votues të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u, si dhe për shkak të largimit të 11 mijë e 86 të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes.

Sipas KQZ’së janë aprovuar edhe 102 mijë e 100 aplikacione nga votues jashtë vendit

Të ngjashme