Një komision vlerësues i Komunës së Rahovecit ka llogaritur në mbi 1,3 milion euro vlerën e dëmeve në bujqësi nga shiu e breshri që përfshiu këtë komunë, para dy javësh.
Komisioni ka dalë në terren për të parë situatën dhe llogaritur dëmet në bujqësi.
“Vlera e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë në komunën e Rahovecit nga shiu-breshëri është 1 325 947 euro, me sipërfaqe 688 hektarë”, thuhet në një njoftim të Komunës së Rahovecit.
Sipas Komisionit, zonat kadastrale më të prekura janë qyteti i Rahovecit, fshatrat Patoqani i Epërm dhe Hoqa e Madhe.
Sipas këtij njoftimi, më së shumti dëme kanë pësuar vreshtat, pastaj kulturat lavërtare, të perimtarisë dhe pemëtarisë.
Haziz Krasniqi, nga zyra e kryetarit Idriz Vehapi, tha se këto dëme janë shkaktuar nga shiu dhe breshri që ka rënë para afro dy javësh.
“Raporti nga Komisioni Vlerësues i është dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe nuk e dimë nëse Ministria do të bëjë diçka për kompensimin e dëmeve”, tha Krasniqi, duke shtuar se ka pasur shumë ankesa të qytetarëve por se Komuna nuk ka fonde për t’u dalë në ndihmë.