Mbi 100 mostra testohen sot për COVID-19

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Harta e të prekurve me COVID-19, tashmë ka përfshirë 30 komuna të vendit. Deri tani, numri i rasteve të konfirmuara me këtë sëmundje ka shkuar në 806. Por, një numër jo i vogël i të infektuarve tashmë janë shëruar. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, aktualisht në gjithë vendin janë 513 raste aktive me COVID-19.

Gazeta Express ka kontaktuar me komunat e prekura dhe u sjell informacione rreth numrit të rasteve aktive, gjendjes së të infektuarve dhe mostrave që do të testohen sot.

E premtja e 13 marsit u regjistrua si dita kur u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë. Një prej të infektuarve vinte nga Stublla e Vitisë, derisa rasti tjetër ishte nga Klina. Por, me kalimin e ditëve, koronavirusi i ri filloi të përhapet edhe në komunat e tjera.

Tash kur po bëhen rreth dy muaj nga regjistrimi i rasteve të para, harta e të prekurve përfshinë 30 komuna të Kosovës.

Me numrin më të madh të rasteve prijnë Ferizaj, Malisheva, Peja, Prishtina dhe Prizreni. Për numrin e rasteve aktive dhe të shëruarve, gjendjes së të infektuarve dhe mostrave që do të testohen sot në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, kanë dhënë detaje Kryetarët e Komunave dhe Drejtorët për Shëndetësi.

Malisheva është komuna e dytë me më së shumti raste të konfirmuara me koronavirusin e ri. Por, shumica e të infektuarve atje tashmë janë shëruar.

Sipas Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begajt, deri tani janë shëruar 57 të infektuar.

Ai thotë se në këtë komunë janë vetëm 17 raste aktive me COVID-19 dhe se gjendja e të infektuarve është e mirë.

“Gjendja është e mirë në Malishevë. Aktualisht i kemi vetëm 17 raste aktive, meqenëse 57 të infektuar janë shëruar dhe një fatkeqësisht ka vdekur. Rasti i fundit në këtë komunë ka qenë para tri dite. Gjendja e të infektuarve është e mirë. Katër prej pacientëve janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, derisa pjesa tjetër po trajtohen nëpër shtëpitë e tyre”, ka thënë Begaj për Express.

Numër të madh të rasteve me COVID-19 ka edhe në Pejë. Ndikim në përhapjen e koronavirusit atje po del të ketë pasur një ceremoni mortore e zhvilluar më 6 prill.

Deri tani në këtë qytet janë konfirmuar 73 raste me COVID-19. Informacione rreth gjendjes së të infektuarve ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.

Sipas Locit, gjendja e të infektuarve është e mirë. Ai ka treguar se sot kanë përcjellë për testim 11 mostra, rezultatet e të cilave pritet të dalin në mbrëmje.

Aktualisht në këtë komunë janë 66 raste aktive.

“Dy ditët e fundit, gjendja ka qenë më e mirë. Sot i kemi dërguar për testim 11 mostra të personave të kontaktit, dhe po i presim rezultatet në mbrëmje. Deri tani, në Pejë janë konfirmuar 73 raste. Prej tyre, dy pacientë kanë vdekur, pesë janë shëruar. Pra, raste aktive janë 66. Gjendja e të infektuarve është e mirë”, ka thënë Loci për Express.

Shumë prej të infektuarve janë shëruar edhe në kryeqytet. Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi ka thënë se aktualisht janë vetëm 22 raste aktive në kryeqytet me COVID-19.

Ai thotë se gjendja e të infektuarve është e mirë, derisa ka treguar se sot nuk kanë përcjellë asnjë mostër për testim.

“Sot nuk kemi përcjellë ndonjë mostër për testim. Aktualisht në kryeqytet i kemi vetëm 22 raste aktive, meqenëse pjesa tjetër janë të shëruar. Gjendja e të infektuarve në përgjithësi është e mirë. Nesër kanë me u ritestu edhe dy pacientë që dje dolën negative, edhe nëse dalin prapë rezulton që janë shëru dhe mbeten më pak se 20 raste aktive”, ka thënë Gashi për Express.

Pas kryeqytetit, me numër të rasteve pozitive rënditet Prizreni. Atje mbrëmë janë konfirmuar pesë raste të reja. Aktualisht në këtë komunë janë 53 raste aktive me koronavirusin e ri.

Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu i ka thënë Gazetës Express se sot po i presin rezultatet për rreth 30 mostra.

Deri tani, nga kjo komunë janë shëruar 15 persona, derisa dy të tjerë kanë ndërruar jetë.

“Pardje janë testuar 21 mostra të cilët kanë qenë pacientë të dializës dhe raste kontakti, rezultatet e të cilave kanë dal mbrëmë. Prej 21 mostrave që janë testuar, pesë kanë rezultuar pozitive. Dje ndërkohë janë marrë edhe 18 mostra, rezultatet e të cilave po i presim sot. Ndërkohë, sot janë marrë 31 mostra nga Rajoni i Prizrenit, por nuk e di numrin e saktë se sa prej tyre janë vetëm nga Prizreni. Deri tani në Prizren janë konfirmuar gjithsej 70 raste. Raste aktive janë 53, dy kanë vdekë, derisa janë shëruar 15 janë shëruar”, ka deklaruar Shehu.

Një rast i ri me koronavirus është konfirmuar edhe në Viti. Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Kadolli ka treguar se sot janë përcjellë për testim nga kjo komunë 14 mostra, dy prej të cilave janë ri-testime.

Ajo ka treguar se gjendja e të infektuarve është e mirë.

“Rasti i mbrëmshëm në Viti është rast kontakti. Është vajza e një familje që kanë dal pozitivë para tri ditësh. Sot do të testohen 14 mostra. DY janë ritestime, për të parë nëse janë shëruar, derisa 12 mostra do të testohen për herë të parë. Deri tani në Viti janë konfirmuar 53 raste. Raste aktive janë 34, derisa të shëruar janë 19. Gjendja e të infektuarve është kryesisht e mirë”, ka thënë Kadolli për Express.

Edhe në Komunën e Suharekës janë në pritje të rezultateve për 24 mostra të cilat i kanë përcjellë për testim në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Rezultatet e tyre pritet që të dalin sot në mbrëmje.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë për Express se sot do të ritestohen nëntë persona për të parë nëse janë shëruar.

Sipas tij, Suhareka ka 31 raste aktive me COVID-19.

“Gjendja është e mirë në Suharekë. Sot po i presim rezultatet për 24 mostra. Gjendja e të infektuarve është stabile. Sot do të ritestohen nëntë persona për të parë nëse janë shëruar. Aktualisht, në Suharekë i kemi 31 raste aktive. Të konfirmuara gjithsej kanë qenë 36 raste, një ka ndërruar jetë dhe pesë janë shëruar. Po besoj që këta nëntë që do të testohen të dalin negativë dhe të bie numri”, ka thënë Muharremaj.

Një prej komunave që ka numër të madh të rasteve me COVID-19 është edhe ajo e Gjilanit.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli i ka thënë Gazetës Express se sot nuk kanë përcjellë asnjë mostër për testim.

Sipas tij, deri tani në Gjilan janë shëruar 26 pacientë, derisa gjendja e të infektuarve thotë se është stabile.

“Gjendja në Gjilan është stabile. Mbrëmë e kemi pas një dozë të frikës, meqenëse janë testuar rretj 150 mostra, por që të gjitha kanë dal negative. Aktualisht në Gjilan i kemi 26 të shëruar, dy persona kanë vdekë, tre pacientë janë duke u trajtuar në Infektivë, derisa 20 persona janë në vetëizolim. Ata nuk kanë ndonjë simptomë, por vetëm kanë dal pozitivë. Gjendja e tyre është e mirë. Sot nuk kemi përcjellë ndonjë mostër për testim”, ka thënë Ismajli.

Komunave të prekura me koronavirus iu është bashkuar edhe Mitrovica e Jugut. IKSHP’ja ka konfirmuar rastin e parë me COVID-19 mbrëmë në këtë komunë.

E infektuara dyshohet se ka pasur kontakt me gjithsej 96 persona, 84 prej të cilëve punëtorë të ETC’së.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Komuna ka njoftuar se ata do të testohen nga IKShPK-ja, dhe se janë rekomanduar për vetizolim për dy javët e ardhshme.

“Fillimisht në këtë mbledhje u potencua se ekipet nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe ekipin komunal për menaxhimin e emergjencave, kanë evidentuar të gjitha rastet e kontaktit të të infektuarës, të cilët janë gjithsej 96 persona, 84 punëtorë të ETC-së, ndërsa të tjerë familjarë që do të testohen nga IKShPK-ja, dhe janë rekomanduar për vetizolim për dy javët e ardhshme”, thuhet në komunikatë.

E ndonëse edhe Drenasi figuron në listën e komunave të prekura, në këtë komunë thonë se nuk kanë asnjë rast të konfirmuar.

Zëdhënësi i Komunës, Bekim Dobra i ka thënë Gazetës Express se edhe ato dy raste të cilat janë konfirmuar janë shëruar.

“Realisht Drenasi vazhdon të mos këtë asnjë rast pozitiv me COVID-19. Rasti i parë i cili ishte konfirmuar në Qendrën e Studentëve, ndonëse ka qenë nga Drenasi me prejardhje, ai ka jetuar, vepruar e punuar në Prishtinë dhe më shumë së një muaj nuk ka qenë në fëmijën e tij në Drenas. Ky person tani është shëruar. Rasti i dytë para dy javësh e një gruaje nga fshati Zabel i Ulët, në dy testet ka dalur negativ dhe nuk kemi asnjë rast të prekur me COVID-19”, thuhet në përgjigjet e Dobrës.

Ndryshe, Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se aktualisht aty janë duke u trajtuar 36 pacientë të prekur me sëmundjen Covid-19, që e shkakton Coronavirusi i ri.

Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se një nga pacientët është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

“6 pacientë janë me oksigjenoterapi, kurse një pacient është në repartin intensiv dhe është në gjendje shumë të rëndë”, ka thënë Krasniqi.

Që nga shpërthimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 22 pacientë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 806, ndërsa 271 pacientë janë shëruar.

Të ngjashme