Mbi 100 persona vdiqën në aksidente – Hoxha: 46 ishin shoferë, 29 këmbësorë dhe 28 pasagjerë

Prishtinë | 20 Dhj 2023 | 10:44 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka prezantuar disa të dhëna mbi aksidentet që kanë ndodhur gjatë vitit 2023.

Hoxha ka thënë se gjatë periudhës 1 janar-18 dhjetor, kanë vdekur 103 persona, raporton Ekonomia Online. Ai tha se 46 nga personat e vdekur në aksidente kanë qenë shoferë, 29 persona kanë qenë këmbësorë dhe 28 kanë qenë pasagjerë.

“Vitin e kaluar kemi pas 95 aksidente me fatalitet e sivjet i kemi 94 me këtë aksident që ndodhi mbrëmë. Persona të vdekur vitin e kaluar ka qenë 106, ndërsa këtë vit 104 me rastin e djeshëm”.

“Kemi miratuar një plan të ri operativ duke ashpërsuar masat dhe punën në angazhimin për mbikëqyrje në trafik. Kemi bërë kërkesë të Ministria e Infrastrukturës që të pajisemi me radar dhe synojmë që të në ardhmen të vendosim dhe kamera që do të monitorojnë autostradat tona”.

Hoxha ka bërë të ditur edhe shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve. Ai ka treguar edhe për aktivitetet dhe inspektimet që janë bërë. Hoxha ka shfaqur të dhënat për aksidentet fatale nga viti 2002. Gjatë këtij viti, Hoxha ka thënë se më së shumti të vdekur në aksidente ka pasur në muajin korrik, 18 persona.

Hoxha ka bërë të ditur se nga 1 prilli ka nisur zbatimi i planit operativ “Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete”. Sipas tij, që atëherë janë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrësit, 10 automjete janë konfiskuar edhe janë parandaluar 50 gara ilegale në të gjitha rajonet”.

“Këto janë masat që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës me qëllim parandalimin e garave. Njësia e kontrollit të autostradave ka hartuar planin operativ “Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete”, i cili ka filluar të zbatohet me më 1 prill. Në kuadër të këtij plani Njësia e kontrollit të autostradave dhe  drejtoritë rajonale të Policisë kanë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrës në këto gara, ka konfiskuar 10 automjete dhe ka  parandaluar rreth 50 gara ilegale në të gjitha rajonet e Kosovës”.

Hoxha tha se tashmë kanë filluar që të përdorin kamerat e trupit për zyrtarë policor të njësive të trafikut.

“Me qëllim të përmbushjes së Planit Zhvillimor Strategjik të PK-së 2021-2025 ku një ndër objektivat parasheh modernizimin e pajisjeve për kontroll dhe mbikëqyrje të trafikut rrugor jemi furnizuar me vetura me pajisje inteligjente ’smart patroll’, radar mobil që dëshmojnë kundërvajtjet në trafik, e po ashtu në të ardhmen synojmë të pajisemi me radar statik, pajisje për lëshimin e gjobave në mënyrë elektronike si dhe për një transparencë më të madhe të punës policore ndaj publikut kemi filluar përdorimin e kamerave të trupit për zyrtarë policorë të njësive të trafikut”.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme