Kuvendi i Kosovës do të tentojë që këtë javë t’u kthehet punimeve të rregullta me agjendë të stërngarkuar.
Njëzet e pesë pika të rendit të ditës do të jenë në vazhdimin e seancës plenare të mbetur në gjysmë para tri jave. Po të hënën Kryesia do të vendosë për një tjetër seancë me 44 pika të rendit të ditës, shkruan sot Koha Ditore.
Në mesin e tyre janë edhe projektligjet që kanë të bëjnë me shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, pika e vetme që ka bërë bashkë partitë në pushtet dhe opozitën.
Janë mbushur tri javë qëkur kryeparlamentari Kadri Veseli ka ndërprerë punimet e Kuvendit, për shkak të mungesës së kuorumit. Për pasojë, një sërë ligjesh presin vetëm votën e deputetëve. Nga 170 projektligje të parapara, janë miratuar vetëm 46 prej tyre. Në procedurë janë 71, ndërsa në pritje janë 53 projektligje të tjera.