Mbi 136 mijë qytetarë aplikuan për rimbursimin e kuponëve fiskalë, sot tërhiqen fituesit

Prishtinë | 02 Gus 2017 | 10:05 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deri më 31 korrik qytetarët kanë pasur të drejtë të aplikojnë për rimbursimin e kuponëve fiskalë.

136 mijë e 462 qytetarë kanë shfrytëzuar këtë të drejtë. Nga ta, 4 500 qytetarë do të rimbursohen, ka bërë të ditur Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), raporton Ekonomia Online.

Tërheqja e fituesve do të bëhet sot. Që nga viti 2015 janë rimbursuar rreth 25 milionë euro dhe janë verifikuar 1.5 milionë pliko.

Zëdhënësja e ATK-së ka thënë se në këtë tremujor ka pasur numër më të madh të aplikuesve krahasuar me vitin 2015 kur patën aplikuar mbi 24 mijë qytetarë.

“Nga fillimi i kampanjës në 2015 së rimbursimit e deri më tash pa plikot e fundit pasi ato janë ende në verifikim, kemi rimbursuar 25 milionë euro dhe kemi verifikuar deri 1.5 milion pliko. Deri më datë 31 korrik ka qenë afati i fundit të dorëzimit të plikove. Kanë aplikuar 136 462 qytetarë. Shifër kjo që e ka vërtetuar që platformë e re e kësaj kampanjë është shumë më e mirë dhe më e pëlqyer se sa kampanja paraprake”.

“Po e them këtë duke e pasur parasysh skepticizmin e qytetarëve kur kemi dalë me njoftimin se do të ndryshoj kampanja dhe do të fillojë një e re. Shifrat po tregojnë që janë më të mëdha nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë kur kanë nisur kampanja për nxitjen e qytetarëve. Tek periudha e parë kur ka nis kanë qenë dikur 24 263”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Zëdhënësja e ATK-së ka sqaruar se nuk do të tejkalohen numrat e fituesve sikurse herën e kaluar dhe se minimumi i vlerës së fituar është 25 euro ndërsa maksimumi 100 euro.

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme prej momentit kur është lëshuar Udhëzimi Administrative, në fakt jemi përgatitur edhe për tërheqjen e cila do të bëhet 21:30 në Televizionin Publik. Në këtë kampanjë janë të limituara numri i fituesve dhe i mjeteve p.sh një qytetar duhet të ketë 60 pliko me një shumë minimale prej 250 euro kurse ajo maksimale për fitim është 100 euro. Nuk do të tejkalohen numrat e fituesve sikurse herën e kaluar, minimum i vlerës së fituar është 25 euro e maksimumi 100 euro”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Sipas saj, kjo formë e re e rimbursimit do të ndryshojë pas dy vitesh pasi sipas udhëzimit administrativ çdo dy vit duhet të ketë risi.

Të ngjashme