Pak ditë kanë mbetur deri në afatin ku qytetarët munden të bëjnë kërkesë për të legalizuar armët e tyre, pasi që faza e dytë e kampanjës për legalizimin e armëve do të përfundojë më 17 shtator.
Koordinatori Nacional i Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla të Lehta dhe të Eksplozivëve, njëherësh zëvendësministër i MPB-së, Izmi Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se deri më tani kanë arritur mbi 1700 aplikacione nga qytetarët për të legalizuar armët e tyre, ndërsa kanë qenë rreth 1000 pëlqime.
“Deri më tani diku mbi 1700 aplikacione janë dhe gjitha ato kanë bërë që ne vërtetë të shohim një interesim të qytetarëve, duhet kuptuar se është hera e parë e këtij formati të legalizimit dhe nganjëherë ndoshta nuk kemi arrit të gjithë me e bërë punën siç duhet apo fushatën”.
“Por, ne jemi të kënaqur pasi që vlerësojmë se është hera e parë dhe më pastaj herëve tjera do të shohim edhe dobësitë tona se cilat janë mundësitë më të mira për me shpërfaqë tek qytetarët dhe me e shpjeguar më mirë edhe pse kemi bërë fushatë vetëdijesuese dhe jashtëzakonisht të madhe, por ka qenë hera e parë dhe është normale që qytetarët me pas skepticizëm”, tha Zeka.
Zeka tha se dënimi për armë mbajtje pa leje janë të rënda dhe sillen nga pesë deri në 10 vjet, por që sipas tij, Kosova është vend i sigurt dhe qytetarët nuk kanë nevojë të mbajnë armë pa leje në shtëpi.
“Është aspekti ligjor që është i rregulluar me Ligj, deri më tani ka qenë një nen i pezulluar gjatë këtij afati ligjor të legalizimit, kurse tani vlejnë ligjet e Kosovës për masa ndëshkuese për armë mbajtje pa leje”.
“Dënimet janë të rënda radikale, për një armë pa leje dënimi është deri në 5 vjet, kurse për 3 e më shumë është deri në 10 vjet, për këtë arsye shpesh e kam thënë se kosovarët nuk kanë nevojë të bartin armë pa leje”, tha ai.
“Ka qenë mundësi e artë për t’i legalizuar dhe për t’i mbajt armët në shtëpi nuk ka qenë problem, por megjithatë vlerësoj se herëve tjera do ketë sukses edhe më të madh, kështu që ne si qytetar tani kemi shtetin, institucionet, policinë, forcën e sigurisë, ushtrinë, që kujdeset për shëndetin e sigurinë tonë dhe nuk kanë nevojë qytetarët të bartin armë pa leje, është shteti ynë”, shton Zeka.
Zeka tha se më nuk do të ketë shtyrje të këtij afati për legalizimin e armëve, raporton EO.
“Jo, më 17 përfundon afati dhe pastaj viteve tjera do të shohim, por ne do bazohemi edhe në Ligjin për legalizim të armëve dhe ne nuk kemi mundësi ligjore tani të shtyjmë këtë afat”.
“Mund të jetë pas një kohe dhe një kohë tjetër që ata të cilët duan të dorëzojnë armët vullnetarisht dhe në një farë forme është aspekt tjetër, por do ta kenë mundësinë për dorëzim dhe mos të kenë probleme me ligjin”, tha Zeka.