Mbi 20 milionë euro për financimin e projektit “Ekonomia Digjitale në Kosovë”

Prishtinë | 20 Kor 2018 | 15:26 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë lidhur marrëveshje për financimin e projektit “Ekonomia Digjitale në Kosovë”, në vlerë prej 20.7 milionë eurosh.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli. Në takim mori pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, raporton Ekonomia Online.

Lluka theksoi se me këtë projekt synojnë që Kosovën ta bëjnë një nga vendet e para në Europë që ndërlidhet përmes rrjetit PROdent të frekuencës.

“Çdo vend, çdo cep i Kosovës do të ketë qasje në shpejtësi të madhe të internetit dhe do të ketë mundësi që përmes pjesës shtesë të projektit është zhvillimi i shkathtësive,ku do ndërtojmë shkathtësi në atë formë që të krijohen vetëpunësime nga këta persona që gjenerojnë këto shkathtësi”.

“Sot Kosova i ka 1.1 miliardë eksporte të shërbimit, ku gjysma e tyre vjen nga sektori i shërbimit informativ dhe kjo për ne është jashtëzakonisht me rëndësi kur e dimë se eksporti i prodhimeve  të produkteve janë vetëm 300 milionë, prandaj unë besoj që ekonomia digjitale është e ardhmja e vendit, jo vetëm për infrastrukturën e brendshme të Kosovës, por edhe për potencialin e punësimit të rinisë në fushën e teknologjisë informative”, tha ai.

 Ministri i Financave, Bedri Hamza, më anë tjetër, e quajti projektin të rëndësishëm, duke thënë se do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.

“Kushtet e marrëveshjes janë jashtëzakonisht të volitshme, shumë është 20 milion e 700 mijë euro me një periodë prej 5 viteve dhe afati i kthimit është 20 vite

“Implementuese e projektit do të  jetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe duke marrë për bazë se këto janë trendet e fundit në ekonominë botërore, unë besoj që edhe për neve, si Kosovë, ky një është fillim, pres të implementohet suksesshëm, në mënyrë që të hapet rrugë për projekte dhe vlera të reja të financimit. Jam i bindur që kjo është rruga e cila i nevojitet ekonomisë së Kosovës, me qëllim që zhvillimi ekonomik të kalojë në nivel tjetër”, theksoi Hamza.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, tha se zhvillimi i infrastrukturës digjitale në Kosovë është e një rëndësie të veçantë për vendin.

“Ne jemi shumë krenarë të jemi partner me ju, në përpjekje për të përmbushur boshllëqet e infrastrukturës digjitale në Kosovë. Gjithmonë bëj shaka se ky projekt është i ngjashëm me liberalizimin e vizave, sepse bota është tek Kosova dhe Kosova është tek bota. Ky është projekti më i largët në vend dhe nuk është ende i lidhur me Bankën Botërore”, theksoi Mantovanelli, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme