Në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020”, krerët e institucioneve të drejtësisë kanë mbajtur konferencë për medie, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se me agjendën “Drejtësia 2020”, institucionet e drejtësisë në Kosovë po i marrin përgjegjësit mbi supet e tyre.
Sfida më e madhe sipas tij, mbetet numri i lëndëve të vjetra që janë të trashëguara dhe stërzgjatja e seancave gjyqësore.
“Një mekanizëm koordinues me ambasadën amerikane ky është viti i parë që shënon udhëheqjen e takimeve të koordinimeve të tilla nga institucionet e Kosovës, deri vitin e kaluar kemi pas EULEX-in që e ka koordinuar sundimin e ligjit dhe kësaj here jemi të lumtur që si institucione kemi arritur që çdo përgjegjësi tani ta marrim mbi supet tona. Sfida me e madhe që mbetet është ballafaqimi me lëndët e vjetra ku numri i tyre shkon rreth 220 mijë brenda 2 viteve me ndihmuar strukturat që me i adresuar dhe mos të zgjasë një lëndë deri në 10 vite”, tha Tahiri.
Tahiri shtoi se ka ndryshuar edhe çështja e llogaridhënies falë ligjit te ri të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Implementimi i këtij ligji do të arrij efikasitet e llogaridhënie brenda gjyqësor e prokurorisë. Themelimi i departamentit special që vijnë nga prokuroria speciale që vijnë me afera korruptive dhe keqpërdorimi i parasë publike”, shtoi ministri i Drejtësisë.
Kreu i drejtësisë në vend, tha se Kosova këtë vit ka 162 gjyqtar më shumë se sa që ka pas më herët në vitin 2017, po ashtu ai njoftoi se do të rritet edhe numri i noterëve.
“Të gjitha të metat si konfiskimi i pasurisë e çështjet tjera me mosfunksionimin e sistemit ne e kemi një agjendë të qartë dhe pretendojmë ta përfundojmë në fundin e vitit 2020 në fund të procesit kemi dy çështje ose do të dalim fitues karshi sfidave ose do të dorëzohemi në punën tonë”, tha ai.
Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se fokusi i takimit të sotëm ishte zvogëlimi i lëndëve të vjetra.
“Deri në vitin 2020 mendojmë të mos e kemi problem grumbullimin e lëndëve dhe stërzgjaten e proceseve gjyqësore. Ne si këshill kemi hartuar një plan veprimi dhe brenda dy viteve mos të flasim më për këto dhe të mos ta kemi sfide grumbullimin e lëndëve, zgjatjen e seancave gjyqësore që të mos zgjatet një lëndë gjyqësore ato penale e civile por edhe çështjet tjera”, tha Idrizi.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, pohoi se në raport me vitet e kaluara, janë në një situatë më të mirë.
“Kemi pas takimin e parë koordinues, në takim kemi partnerët ndërkombëtar diskutuam për tema të rëndësishme dhe jemi përqendrua me marr veprime konkrete si institucione. Me lëndët e vjetërsuara ne jemi në një situatë më të mirë se viteve të kaluara kemi rritje të vazhdueshme në zvogëlimin e lëndëve penale por problem mbesin lëndët e trashëguara me kallëzim penal dhe në 2019 jemi zotu këtë numër të lëndëve të personave të panjohur me e zvogëluar”, tha Hyseni.
Hyseni pret se së shpejti të fillojnë edhe zgjidhjen e rasteve që janë trashëguar nga EULEX-i.
“Shpresoj se dokumentin e krimeve të luftës për të filluar punën konkrete për zgjidhjen e rasteve që janë trashëguar nga EULEX-i dhe shpresoj ky dokument të aprovohet dhe ne të marrim aprovime me forcua me staf mbështetës që të kemi rezultate në këtë drejtim”, shtoi Hyseni, raporton Ekonomia Online.