Më shumë se 200 pacientë janë të shtrirë në spitalet e përgjithshme rajonale dhe në klinikat e QKUK-së, të infektuar me Covid-19, numër ky i rritur gjatë ditëve të fundit, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se përkundër që ka një rritje të numrit me të infektuar, situata është më e qetë sesa në muajt e verës.
Krasniqi ka thënë për Ekonomia Online ka folur edhe për përgatitjet që janë duke i bërë për sezonin e dimrit, ku pacientët mund të preken edhe nga gripi sezonal.
“Këto 10 ditë të fundit kemi një tendencë në rritje të numrit të rasteve me të infektuar dhe kjo po reflekton dhe me kërkesat e shtuara për trajtim spitalor. Nëse bëjmë një krahasim, në fillim të muajit tetor ne kishim rreth 150 pacientë të shtrirë nëpër të gjitha spitalet rajonale dhe në QKUK, tani ky numër tashmë veç ka kaluar numrin 200 që janë spitalizuar, pra vërehet një rritje e lehtë e të pacientëve dhe jemi duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë epidemiologjike”.
“Sidoqoftë situata është më e qetë sesa e kishim në muajt korrik dhe gusht dhe kjo na ka shërbyer që të vazhdojmë përgatitjet intensive edhe për sezonin e dimrit që tashmë po hyjmë dhe potencialisht do të kemi edhe gripin sezonal dhe mund të kemi një situatë më të rënduar”, ka thënë Krasniqi.
Lajm i mirë është edhe rënia e numrit të të vdekurve me Covid-19. Ai ka thënë se e rëndësishme për ta mbetet ngritja e kapaciteteve në luftimin e pandemisë.
“Megjithatë është mirë që tani numri i vdekjeve ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Ne si klinicist luftojmë për secilin pacient. Në aspektin klinik është shumë më rëndësishëm dhe jeta e secilit pacient është shumë e vlefshme. Ne po bëjmë përpjekje maksimale që sa më shumë ta ngrisim cilësinë e këtyre shërbimeve, ndërkohë për të gjithë ata që kanë nevojë për t’u shtrirë në spital, ne i kemi kapacitetet për t’i pranuar”
Nga 700 shtretër sa i kishin në dispozicion, Krasniqi thotë se po synojnë që numrin e shtretërve ta qojnë deri në 900, varësisht nga nevoja.
“Situata është e menaxhueshme dhe jemi në një situatë shumë më të mirë sesa që ishim gjatë muajve të verës, por sidoqoftë kjo nuk guxon të na largojë vëmendjen nga muajt në vijim që mund të presim numër të shtuar të të infektuarve dhe si rrjedhojë edhe kërkesa më të mëdha”.
“Ju e dini se gjatë verës me riorganizimin që e bëmë nëpër spitale e përgjithshme dhe klinikat e QKUK-së, kemi arritur t’i vejmë në dispozicion rreth 700 shtretër, ndërkohë që tani ne kemi po ashtu planin që të kemi deri në 900 shtretër në dispozicion nëse paraqitet nevoja për një numër të tillë të spitalizuarve”, tha ai.
Krasniqi ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore, në mënyrë që ky numër të bie sërish.