Më shumë se dy miliardë euro janë shpenzuar deri më tash në vendin tonë për ndërtimin e autostradave që lidhin Prishtinën me Shqipërinë, Shkupin, Pejën, Mitrovicën dhe së fundi me Gjilanin. Hiç më pak se 1 miliard euro të tjera pritet të shpenzohen për përfundimin e punëve në autostrada ekzistuese, por edhe nisjen në ndërtimin e autostradës së re prej 91 kilometrash, që do ta lidhë Istogun me Prizrenin, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ende pa përfunduar në tërësi punimet në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup, Qeveria e Kosovës tashmë ka nisur ndërtimin e autostradës së re, që lidh Prishtinën me Gjilanin.
Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore Qeveria ka iniciuar edhe hartimin e projektit për ndërtimin e autostradës së fundit, asaj që do ta lidhë Istogun e Prizrenin, e cila pritet ta ketë koston më të lartë se të të gjitha autostradave të tjera për shkak të gjatësisë, por edhe numrit të madhe të pronave që pritet të shpronësohen për realizimin e saj.