Mbi 300 mijë gjoba për shkelësit e masave të pandemisë

Prishtinë | 31 Dhj 2021 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Jo çdoherë qytetarët e Kosovës kanë qenë të gatshëm që të respektojnë masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e Covid-19.

Prandaj thyesit e këtyre masave janë gjobitur nga Policia e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Sipas statistikave që ka marrë Demokracia.com nga Policia e Kosovës, prej gushtit të viti 2020 e deri më 19 dhjetor të këtij vitit për moszbatim të këtyre masave janë ndëshkuar 303 mijë e 23 qytetarë.

“Nga data 28.08.2020 deri 19.12.2021 janë shqiptuar 303023 fletëparaqitje ( tiketa) në bazë të ligjit anti-COVID 19”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Demokracia.com

Policia e Kosovës po ashtu përpos angazhimeve operacionale në terren, është angazhuar edhe në parandalim me fushata dhe publikime vetëdijësuese. Njëkohësisht PK kërkon te të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, që t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat anti COVID.

Masat e reja kundër koronavirusit anë hyrë në fuqi në fillim të dhjetorit. Sipas këtyre masave qytetarët që do të hyjnë në Kosovë duhet të kenë dëshminë e vaksinimit të plotë, të testeve negative apo dëshmisë se e kanë kaluar koronavirusin.

Po ashtu kërkohet nga të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë pas datës 3 janar, 2022, të kenë dëshmi të vaksinimit të plotë, ose një dozë të vaksinës bashkë me test negativ PCR, ose një dozë e vaksinës me dëshminë e kalimit të sëmundjes.

Shtetasve të Kosovës dhe atyre me qëndrim të përkohshëm, iu dha “mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikat kufitare” tokësore, por edhe në aeroportin “Adem Jashari”.

Dëshmia e vaksinimit të plotë po ashtu do të kërkohet edhe nga personat që përdorin transportin publik.

Mbajtja e maskës vazhdon të jetë obligative. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00.

Ndërkaq, as orari i gastronomisë nuk ka ndryshuar, sektor i cili lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30.

Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar.

Të ngjashme