Në Kosovë ka mbërritur kontingjenti i parë prej 35 mijë e 100 vaksinash kundër Covid-19, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori i ShBA-së Philip Kosnett, tha se vaksinat janë dërguar përmes programit Covax dhe janë pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të luajtur një rol udhëheqës në luftën për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë.
Ai është zotuar edhe për dhurimin e kontingjenteve të tjera të vaksinave për Kosovën.
“Është privilegj të ju shoqërojë sot këtu për të mirëseardhur kontigjentin e parë të vaksinave që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga më shumë se gjysmë milionë doza të vaksinave që janë gjithsej. Këto janë doza të sigurta, të kompanisë Pfizer, për ta ndihmuar Kosovën në luftën kundër Covid-19”.
“Kjo dhuratë me doza të vaksinave nga njerëzit e Amerikës është më e madhja që është dhënë për Kosovën përnjëherë nga ndonjë shtet apo edhe organizatë. Kur të kompletohet nëpërmjet mekanizmit COVAX do të jenë 700 mijë doza të vaksinave. Iniciativë globale për të mbështetur ndihmën e vaksinave të sigurta. Me 2 miliardë investime në mekanizmin COVAX, ShBA-ja është shteti më i madh që ka kontribuar në këtë mekanizëm”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, fillimisht foli për mungesën e vaksinave në Kosovë, duke shpjeguar se ka bërë kërkesë për presidentin amerikan Joe Biden.
Ajo ka ripërsëritur se vaksinimi është akti më patriotik në këtë kohë, duke shtuar se ky donacion dëshmon miqësinë ndërmjet të dy shteteve dhe iu referua fjalës së urtë popullore “Miku i mirë në ditë të vështirë”.
“E kam ditur se Biden do ta ndihmonte dhe morëm përgjigje për mbi 500 mijë vaksina, kontingjenti po e pranojmë sot, edhe të tjerat do të vijë shumë shpejt shpresoj. Kjo dëshmon miqësinë, ‘Miku i mirë shihet në ditë të vështirë’, faleminderit të gjithë atyre që kontribuuan që vaksinat të jenë këtu’. Nuk mjafton vetëm arritja e vaksinave, vaksinimi është akti më patriotik i kësaj kohe, secili duhet të vaksinohet. Kjo është gjëja më e duhur”.
“Vaksinimi është shans për të ngadhënjyer kundër virusit, të shpëtojmë jetë, ta shpëtojmë ekonominë tonë, ta shpëtojmë ekonominë tonë”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se këto vaksina të dhuruar do të administrohen për një ditë e gjysmë dhe se brenda vitit do të imunizohen 60% e popullatës.
Ai ka shtuar se Kosova është mirënjohëse për ndihmën e ShBA-së për ta luftuar Covid-19, raporton EO.
“Me 28 mars të këtij viti ne ishim në Aeroport kemi pranuar kontingjenti e parë, tani po pranojmë kontingjentin prej mbi 35 mijë vaksina nga Amerika. Jemi mirënjohës për këtë ndihmë, falënderojë të gjitha që po dhurojnë për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë”.
“Me ritmin e vaksinimit dozat e pranuar sot do të administrohen brenda një dite e gjysmë, deri tash janë dhënë mbi 600 mijë vaksina. Brenda vitit do të imunizohen 60% e popullatës. Të tregohemi të kujdesshëm duke respektuar masat dhe të vaksinohemi, kjo është rrugëdalja. Të ruajmë jetën e secilit”.
Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Ulricke Richardson tha se tashmë varianti Delta po përhapet shpejtë dhe se mënyra më e mirë është vaksinimi për mbrojtje nga pandemia.
Vaksinat e dhuruara nga ShBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim të Covax-it, që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër Covid-19.
Me kontributin financiar prej 4 miliardë dollarë për Gavi në mbështetje të COVAX, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh financiar në Covax.
Përveç vaksinave, prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar gati 4 milionë dollarë për pajisje mbrojtëse, pajisje mjekësore, grante për mësim përmes internetit, si dhe ndihmë tjetër lidhur me Covid-19 për të ndihmuar shkollat, objektet shëndetësore, familjet dhe komunitetet anembanë 38 komunave të Kosovës.