Mbi 500 civilë janë vrarë gjatë bombardimeve intensive njëjavore të forcave siriane në një zonë të kontrolluar nga rebelët pranë Damaskut.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër, mes viktimave në Goutan Lindore përfshihen 121 fëmijë.
Që prej së dielës së kaluar trupat e regjimit të Bashar Al Assad, të mbështetura nga forcat ruse, po mësyjnë ashpër zonën ku janë të bllokuar rreth 393 mijë civilë, raporton Lajmi.net.
Mbi ta po hidhen edhe bomba fuçi.
Observatori Sirian pretendon se 29 viktima ishin shënuar të shtunën, përfshirë 17 në qytetin kryesor të Doumas.
Sipas aktivistëve, shumë spitale kanë dalë jashtë funksionit.
Qeveria siriane mohon shënjestrimin e civilëve, duke këmbëngulur se po përpiqet të çlirojë Goutan lindore nga terroristët.
Gjendja e vështirë e civilëve në zonë ka alarmuar liderët botërore.
Kushtet atje janë përshkruar si ‘ferri në tokë’ nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres.