Mbi 60 mijë të zhdukur gjatë luftës kundër drogës në Meksikë

Prishtinë | 07 Jan 2020 | 09:32 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet meksikane kanë thënë që më shumë se 60 mijë persona janë zhdukur që nga fillimi i luftës kundër bandave të drogës në këtë shtet në vitin 2006.

Shifra e publikuar tash është shumë më e lartë se vlerësimi i mëparshëm, kur besohej se në këtë luftë janë zhdukur rreth 40 mijë persona.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Meksikë janë vrarë 31 mijë persona gjatë përleshjeve të armatosura mes bandave rivale ose mes forcave të sigurisë dhe bandave të drogës.

Ndonëse grupet e krimit të organizuar dhe bandat e drogës janë vrasësit kryesorë, edhe forcat e sigurisë fajësohen për një numër të vdekjeve dhe zhdukjeve.

Zyrtarët thanë se 53 për qind e personave të zhdukur gjatë kësaj periudhe ishin të moshës 15 deri 35-vjeçare, ndërsa 74 për qind e të zhdukurve ishin meshkuj.

Karla Quintana, kryetare e Komisionit Kombëtar të Kërkimit, tha se vitin e kaluar në Meksikë janë zhdukur pesë mijë persona. “Këto të dhëna janë horror dhe prapa tyre qëndrojnë rrëfimet për dhimbjen e madhe të familjeve”, shtoi ajo.

Presidenti i Meksikës, Andres Lopez Obrador, ishte zotuar se do ta zvogëlojë nivelin e krimit dhe vrasjeve në vend. Megjithatë, dhuna ka vazhduar edhe pas ardhjes së tij në pushtet, shkruan “BBC”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme