Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka lansuar raportin “Pulsi Publik XV”.
Menaxheri i projektit, Arben Qirezi, ka prezantuar të gjeturat e raportit ku tha se ka rritje të kënaqshmërisë së qytetarëve me gjykatat dhe zyrën e prokurorit, raporton Ekonomia Online.
Në raport thuhet se mbi 60 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk janë të kënaqur me punën e Presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Kemi pasë 1306 të anketuar nga 895 shqiptarë, 211 serb të Kosovë dhe 199 komunitete të tjera. Është rritje e kënaqshmërisë së qytetarëve me gjykatat dhe zyrën e prokurorit. Prijnë gjykatat që në raport me vitet e kaluara ka pasur rritje për 6 për qind. Kënaqshmëria me punën e kryetarit të Kuvendit 36.3 për qind, rënie të kënaqshmërisë me Presidentin 38.4 për qind dhe kënaqshmëria me kryeministrin 35.1 për qind. Vetëm 13.5 për qind kanë shprehë kënaqshmëri me drejtimin politik, të pakënaqur kanë qenë 50.08 për qind dhe 36.4 kanë qenë neutral”, ka thënë Qirezi.
Ai tha se trendi i indeksit të demokratizimit është 1.49 dhe në raport me sondazhet në shtator ka një ngritje ndërsa indeksi i besueshmërisë në nëntor 2018 ka rënë në 1.4 për qind.
“Nga pyetjet që janë bërë në bazë të indeksit të demokratizimit, ka qenë edhe për mediet dhe lirinë e shprehjes së tyre. A e kanë mediet në Kosovë lirinë e shprehjes, 59.1 për qind mendojnë se mediet e gëzojnë lirinë e shprehjes që është ngritje nga viti i kaluar. Në nëntor 2018, tri probleme që kanë identifikuar qytetarët janë papunësia me 29.4 për qind, korrupsioni 13.4 për qind dhe varfëria 8.6 për qind. Këto pasohen me krimin e organizuar, shërbimet shëndetësore dhe arsimimin”, tha ai, raporton EO.
“…31.2 për qind mendojnë që punësimi bëhet me merita ndërsa një shumicë prej 68.8 për qind mendojnë që punësimet bëhen përmes rrugëve të tjera, familjare… ka qenë 84 për qind në 2017. Dogana me 31.4 për qind, Agjencia për Privatizim me 29.8 për qind dhe KEDS me 31.3 për qind, si institucione më të korruptuara. Vlerësimi mbi korrupsionin është bërë në bazë të bisedës me të afërmit dhe miqtë, nga mediet etj”, u shpreh ai.