Mbi prapambetjen tonë

Prishtinë | 25 Kor 2016 | 13:54 | Nga Lumir Abdixhiku

Në të vërtetë Kosova e ka për obligim moral e patriotik ta zhbëjë sa më shumë influencën antishekullare në vend. Ta zhbëjë gjithë atë dëm që nëpërmjet korrupsionit të klasës politike këndej është futur në secilën pjesë ekonomike, kulturore e edukative tonën; në sistem bankar, në sistem energjetik, në shkolla, në investime kapitale, aviacion e industri ushqimi. Varësia jonë me një qeveri që ka agjendë antishekullare është domosdoshmëri

-1-

Në më pak se një javë, dy ngjarje, të ndara tërësisht, formuan, për mua, një bindje që – për shumë kohë – kisha menduar se nuk qe më. Bindjen se kjo shoqëri e jona, në shumë pjesë të saj, është e prapambetur dhe e tillë do të jetë për shumë kohë. Një shkrim thirrës për debat nga Mehmet Kraja dhe një tentim puç ushtarak i dështuar në Turqi treguan për hiç më shumë se një javë se sa jodemokratike, sa konservatore, sa të paditura dhe sa të manipuluara janë pjesë të tëra të shoqërisë sonë.

Ky tregim ishte shpërfaqur me një mani të pashpjegueshme për një tiran, dhe me një kërcënim të gërditshëm për një shkrues – përcjellë dhe me një dozë të bollshme paditurie e injorance të intelektualëve që s’marrin erë fare prej demokracie. Lëmsh në të gjitha anët.

-2-

Ngjarja e parë ishte kthim prapambetjeje në trajtimin e gjërave prej perspektivës së blasfemisë; e zakonshme në shoqëri primitive. Shkrimi i Krajës, pavarësisht pajtimit ose jo me përmbajtje – duhej të shihej si shkrim. Si ftesë e qytetëruar e demokratike për debat e diskutim. Sulmet pasuese, ofendimet e orkestruara e kërcënimet me jetë e pushkatim si zgjidhje e përballjes, treguan anën tjetër të Kosovës. Atë që kemi frikë ta shohim. Anën e mbylljes, të fyerjes e kërcënimit si mjet për të mbytur mendimin e lirë. Anën e rrezikut nga ekstremizmi. Treguan se Kraja kishte të drejtë.

Shihni. Puna është se kur sot kërcënon dikë me pushkatim për – hiç tjetër veçse një shkrim e mendim, nesër dhe vendos të shtypësh fëmijë me kamion sikurse një i çmendur në Nicë. Pra, trushpëlarja është graduale. Nuk bëhet brenda natës. Kërcënimi për shkrim është hapi i parë në bindjen trushpëlarëse; karakteristikë e kësaj prapambetjeje.

Dhe Kosova, e këtë duhet thënë shpesh e me zë, ka elemente trushpëlarëse gjithandej. Këto elemente kanë zënë vend me vite; do të duhen vite për t’u zhbërë pas. Për këtë na duhet një reagim gjithëqytetar e shoqëror. Që, kur dikush kërcënohet me jetë nga grupe të rrezikshme e të prapambetura, të ngrihemi të gjithë bashkë e të bëhemi një. Sot nuk e kemi luksin që luftuesit e vetëm e të pakët të degradimit tonë kulturor e identitar t’i lëmë vetë.

Beteja kundër trushpëlarjes natyrisht se s’bën të bëhet – siç po ndodh rëndom këndej – nga grupe që s’marrin vesh për mendimin e lirë e demokracinë; të bollshëm dhe në taborin tjetër pra. Të njëjtit, me përgjithësime e trajtime fashiste të lirisë së besimit veçse nxisin më shumë rekrutim në palën tjetër. Zaten, varfëria intelektuale këtë ka. Kjo betejë natyrisht se duhet të bëhet me njerëz që për bindje të njëmendë kanë lirinë e mendimit e besimit, të tjetrit dhe të vetes, e që janë shumicë në këtë vend.

-3-

Puçi e dështimi i tij në Turqi ndërsa shpërfaqën dy fenomene ndaras. Në të parën, sërish quasi-intelektualë që arsyetojnë puçe si formë e marrjes së pushtetit në një vend anëtar NATO-je; e në të dytën, maninë e trishtueshme që një pjesë jo e vogël e shqiptarëve kanë për konceptin Erdogan në politikë dhe islamizmin si formë e rregullimit shtetëror; si alternativë ndaj shekullarizmit. Të parët shkojnë, natyrshëm, me nivelin intelektual këndej – të varfër në bindje, të palexueshëm sa s’bëhet më, populist, pa ide.

Të dytët, ndërsa, janë pjesë e trushpëlarjes religjioze që ka ndodhur në vend. Për këta, afërsia me një vend që në secilin standard është larg për të qenë mik e mbështetës njëmend, është në baza tërësisht religjioze. Pra, në përballjen e islamit politik me shekullarizmin, shqiptarët në masë jo të vogël kanë zgjedhur të parën. Rrjedhimisht dhe mbështetja për një lider që në secilin standard demokratik e modern është tiran në bërje apo i bërë.

Për këtë natyrisht kanë pasur model dhe liderët shqiptarë që për motive tërësisht korruptuese kishin zgjedhur afërsi me një lider shtypës – e kishin quajtur dhe vëlla.

Shqiptarët nuk kanë pse të zgjedhin anë në përballjen turke. Të dyja anët qenë të shëmtuara. Politika e qeverisë së tanishme për shkak të politikave represive ndaj opozitës, medias së lirë e mendimit të lirë; politika alternative për shkak të përzgjedhjes së dominimit ushtarak për vënie të një tiranie të re. Pra, në këtë përballje ne s’kemi pse të bëjmë tifo e të nxjerrim model.

Model për model ne duhet të shohim nga vendet demokratike që, edhe po patën gjasën e dhënies së kërcënimeve të frikshme – Boris Johnson në Britani, Trump në Amerikë, Le Pen në Francë apo Norbert Hofer në Austri – megjithatë respektojnë parimet e mendimit të lirë e shprehjes së lirë. Dhe, nëse asgjë tjetër, kanë gjasë më të madhe për parandalim nga theqafja nga “trumpizmi” e “lapenizmi” sesa nga secili vend autoritar e diktatorial.

-4-

Turqia nuk është model i Kosovës, s’bën të jetë. E blasfemia nuk është pjesë e normës sonë shoqërore – s’duhet të jetë.

Në të vërtetë, Kosova e ka për obligim moral e patriotik të zhbëjë sa më shumë influencën antishekullare në vend. Ta zhbëjë gjithë atë dëm që nëpërmjet korrupsionit të klasës politike këndej është futur në secilën pjesë ekonomike, kulturore e edukative tonën; në sistem bankar, në sistem energjetik, në shkolla, në investime kapitale, aviacion e industri ushqimi. Varësia jonë me një qeveri që ka agjendë antishekullare është domosdoshmëri.

Mbi të gjitha, neve na duhet sa më parë që të edukojmë e formësojmë kosovarin modern; atë që sheh Republikën si shekullare, që beson në lirinë e besimit të tjetrit, e që respekton parimet demokratike të vendimmarrjes. Demokratike jo në konceptin që shumica bën çfarë të dojë – siç besojnë përcjellësit e Erdoganit në Kosovë kur thonë se ka fituar zgjedhjet – por në parime që mbrojnë dhe të drejtat e pakicës nga shumica; kur vota s’jep të drejtën e bërjes gjithçka.

Në thelb pra, ne duhet mundur prapambetjen që sot përcakton mënyrën si mendojmë, sjelljen tonë, normat tona e modelet që i marrim si shembull. Dhe ka veçse një formë që prapambetja të mundet mirë; ajo mundet nëpërmjet arsimit. Arsimi sot është fabrikë e prodhimit të kësaj prapambetjeje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme