Mbijetuesi i 5 Qeverive – Naser Ramadani që 14 vjet në krye të IKShP-së

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Naser Ramadani ka renditur 48 punime shkencore në biografinë e tij dhe 51 kumtesa në konferenca ndërkombëtare. Por, ai ka të renditura edhe vitet e gjata si Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, një prej institucioneve të rëndësishme të shëndetësisë, aq më tepër tash në kohë pandemie.

Në biografinë e tij të publikuar në faqen e Fakultetit të Mjekësisë, ku është edhe Profesor i assocuar në Katedrën e Epidemiologjisë, ai ka treguar edhe përvojën e punës dhe sipas saj, Ramadani del se ka 14 vjet që po e udhëheq IKSHP-në.

Sipas CV-së së tij, ai këtë detyrë e ka marrë në vitin 2006 dhe që nga ajo kohë, kjo është detyra e tij menaxheriale e vetme.

Këtu mund ta gjeni CV-në e tij: KLIKO

Aty nuk shkruan për muajin e zgjedhjes së tij drejtor, por duket interesante se megjithatë ka rezistuar në këtë pozitë, ani pse që nga ajo kohë janë ndërruar disa ministra e 5 Qeveri. Se është aty që nga kjo pozitë, e ka pohuar edhe në deklarimin e pasurisë në vitin e kaluar. Vitin e emërimit e ka shënuar pikërisht vitin 2006.

Deklarimi e pasurisë se tij mund ta lexoni: KËTU

Në fakt, një përpjekje për ta larguar atë nga detyra e drejtorit ishte bërë në vitin 2011. Por, në vitin 2012 ai e kishte fituar këtë betejë, për të qenë deri sot në krye të këtij instituti.

Në atë kohë, shkruanin mediat, Ramadani kishte ndjekur betejat ligjore me ministrinë, që ishte dorëzuar pas dy muajve.

“Me një vendim pa bazë ligjore, jam ndaluar të hyj në hapësirat e institutit kombëtar, pa kurrfarë arsyetimi. Pastaj unë kam udhëhequr gjitha procedurat e nevojshme ligjore për vazhdimin e mandatit tim dhe realizimin e aktiviteteve të cilat parashtrohen para institutit kombëtar”.

“Por administrata e Ministrisë së Shëndetësisë, duke shkelur një varg procedurash ligjore, faktikisht nuk iu ka përmbajtur ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, dhe mua më është dashur të kërkoj të drejtën time në organet më të larta të jurispodencës të shtetit të Kosovës, dhe jam rikthyer me të drejtë të plotë ligjore në postin e drejtorit të IKSHP-së”, kishte thënë në atë kohë ai, raportonte Radio Evropa e Lirë.

Për dy muaj, gjatë kohës që Ramadani nuk ishte në pozitën e udhëheqësit të institutit kombëtar, Sabit Bajqinovci ishte zgjedhur drejtor.

IKSHP është një institucion i rëndësishëm i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ramadani kohët e fundit ka përjetuar edhe një shkarkim. Ai është shkarkuar nga pozita e anëtarit të Bordit të SHSKUK-së bashkë edhe me disa tjerë, për t’ua lënë vendin disa të tjerëve. Në CV-në e tij shkruan se më herët ka punuar edhe në Ministri të Shëndetësisë dhe edhe në Drenas në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Të ngjashme