Mbipesha e fëmijëve në rritje të shpejtë në Azi-Paqësor

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 09:11 | Nga

Shkalla e mbipeshës së fëmijëve është më e larta në Shtetet e Bashkuara, por ajo po rritet me shpejtësi edhe në rajonin e Azi-Paqësorit, thonë hulumtimet e reja.

Numri i fëmijëve mbi peshë, nën moshën 5-vjeçare, është rritur për 38 përqind nga viti 2000 në vitin 2016 në Azi-Paqësor, raporton Reuters, duke u thirrur në hulumtimet e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

“Shkalla e rritjes së obezitetit në Azi-Paqësor është më e lartë se në shumë vende të tjera”, tha Sridhar Dharmapuri, zyrtar për sigurinë ushqimore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi.

Studiuesit thonë se rritja e niveleve të obezitetit në Azi-Paqësor është veçanërisht shqetësuese, sepse fëmijët mbi peshë janë në rrezik më të lartë për të mbetur mbi peshë edhe si të rritur.

Kjo, pastaj, mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, si: diabet i tipit 2, presion i lartë i gjakut dhe sëmundje të mëlçisë.

Hulumtuesit thonë se rritja e pasurisë gjatë 20 vjetëve të fundit ka luajtur rol të madh në rritjen e niveleve të obezitetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme