Mblidhet PDK-ja, gjendja socio-ekonomike dhe politike po përkeqësohet çdo ditë e më shumë

Prishtinë | 06 Sht 2022 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me anëtarët e Kryesisë së kësaj partie, deputetët e Grupit Parlamentar dhe Kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, dje dhe sot, kanë zhvilluar takime për të koordinuar agjendat politike dhe legjislative para fillimit të Sesionit vjeshtor parlamentar.

Në këto takime është vlerësuar se gjendja socio-ekonomike dhe politike në vend po përkeqësohet çdo ditë e më shumë nga inflacioni rekord, shtrenjtimi enorm i produkteve esenciale, grevat e sindikatave dhe ndërprerja e mësimit, mungesa e investimeve kapitale, si dhe diskriminimi i skajshëm që Qeveria po ua bën komunave.

Në një postim në Facebook, Krasniqi është shprehur se këto probleme kërkojnë trajtim dhe veprime emergjente.

POSTIMI I PLOTË:

Së bashku me anëtarët e Kryesisë, deputetët e Grupit Parlamentar dhe Kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, dje dhe sot, kemi mbajtur takime të frytshme për të koordinuar agjendat politike dhe legjislative para fillimit të Sesionit vjeshtor parlamentar.

Gjendja socio-ekonomike dhe politike në vend po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.

Kriza ekonomike që po përcillet me një inflacion rekord, shtrenjtimi enorm i produkteve esenciale, grevat e sindikatave dhe ndërprerja e mësimit për fëmijët tanë, mungesa e investimeve kapitale, diskriminimi i skajshëm që Qeveria po ua bën komunave dhe shumë probleme të tjera – kërkojnë trajtim dhe veprime emergjente.

Si parti shtetformuese, lidere e opozitës dhe që udhëheqë me 8 komuna, ndërsa bashkëqeveris në 9 sosh, me prioritet interesin shtetëror e qytetar, PDK do të angazhohet maksimalisht në të gjitha format dhe kapacitetet për të dhënë kontributin e vet, në të gjitha nivelet e vendimmarjes.

Qeveria aktuale i ka braktisur qytetarët dhe ua ka kthyer shpinën problemeve të tyre. Duke rrënuar arritjet e deritashme, Qeveria ka imponuar stagnimin në të gjitha fushat, që ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Në Kryesi, Kuvend dhe nëpër Komuna – Partia Demokratike e Kosovës do të punojë dhe kërkojë që shteti dhe Qeveria të jenë më afër qytetarëve në periudhën e tyre më sfiduese pas luftës, ndërsa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, kemi hartuar vizionin për qeverisjen e re të vendit, për të ardhmen e qytetarëve tanë, pa dallim.

Tjetër rrugë nuk ka!

Të ngjashme