Mblodhi para për shërimin e fëmijës joekzistent, arrestohet nga Policia

Prishtinë | 07 Dhj 2016 | 16:19 | Nga

Policia e Kosovës, në vazhdimësi të realizimit të objektivave strategjike që kanë për synim arrestimin dhe parandalimin e veprave të ndryshme kriminale, sot ka realizuar edhe një plan operacional të suksesshëm që ndërlidhet me veprën penale “mashtrim”, ku në këtë rast viktima të mashtrimit kanë qenë qytetarët e ndryshëm të Kosovës.

Ky operacion policor është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “mashtrim”.

Personi i arrestuar në këtë rast është:

Y. Sh. lindur me 1987 m/sh/k

Personi i dyshuar, tashmë i arrestuar, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të mashtrimit të qytetarëve dhe përfitimit material, ka postuar dhe ka shpërndarë nëpër media e rrjete sociale, apo gazeta ditore, kërkesën për ndihmë financiare nga qytetarët, për shërim jashtë vendit të një fëmije joekzistent, kinse për shkak të sëmundjes së tumorit në tru, i cili kushton në vlerë prej 200 mijë euro.

Lidhur me këtë i dyshuari ka hapur xhirollogari bankare në një bankë dhe ka pranuar një numër të konsiderueshëm të mjeteve nga qytetarë të ndryshëm, të cilat mjete i dyshuari i ka tërhequr menjëherë.

I dyshuari gjatë intervistës në prani të avokatit mbrojtës e ka pranuar se e ka kryer veprën penale “mashtrim”.

Në konsultim me prokurorin kujdestar të PTH – Prishtinë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme