Ministria e Bujqësisë edhe sivjet ka vazhduar investimet për rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes, me qëllim të rritjes së rendimenteve në prodhimtarinë bujqësore dhe në zvogëlimin e dëmeve të mundshme që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe thatësira.
Për këtë qëllim, MBPZHR-ja do të përkrahë edhe investimin për projektin e zgjerimit të sistemit të ujitjes në fshatrat Piranë, Landovicë, Tupec dhe Krajk të Komunës së Prizrenit.
Për realizimin e këtij projekti, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me kryetarin e Komunës së Prizrenit, prof.dr. Ramadan Muja dhe drejtorin e Kompanisë së Ujitjes Radoniqi-Dukagjini, Jahja Kadrija. Këtë projekt e ka mbështetur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga Komuna e Prizrenit, Nezir Çoçaj, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, ka thënë se përfshirja e sipërfaqeve të reja nën ujitje përbën prioritet për ministrinë dhe ka shtuar se investimet për rregullimin e sistemeve të ujitjes do të vazhdojnë të bëhen edhe në të ardhmen.
“Ministria e Bujqësisë deri më tash ka arritur të ndërtojë kanale të ujitjes dhe të zgjerojë shumë sisteme ekzistuese nëpër të gjitha komunat e Kosovës e këto investime do të vazhdojmë t’i bëjmë tashmë edhe përmes projektit për zgjerimin e kanaleve të ujitjes në fshatrat e komunës së Prizrenit, për të cilin projekt kemi dhënë mbështetje financiare, me qëllim që të rrisim rendimentet e prodhimtarisë bujqësore, duke ndikuar kështu edhe në shtimin e sipërfaqeve të mbjella me kultura të ndryshme bujqësore”, ka thënë Halimi.
Ndryshe, përmes këtij investimi, i cili arrin vlerën prej 633 mijë euro, synohet që nën sistemin e ujitjes të përfshihen 328 hektarë të reja.