Autoritetet shëndetësore janë duke bërë thirrje për rishikim urgjent të situatës shëndetësore, për të vërtetuar nëse Mbretëria e Bashkuar është e përgatitur për “rrezikun real” të valës së dytë të koronavirusit.
Në një letër të hapur, të publikuar në revistën shkencore, British Medical Journal, ministrat britanikë janë paralajmëruar që duhet marrë masa urgjente për të parandaluar humbjen e jetës së njerëzve.
Letra është nënshkruar nga udhëheqës të spitaleve, infermierë, dhe mjekë të përgjithshëm.
Ky lajm vjen pasi kryeministri britanik, Boris Johnson ka prezantuar ndryshimet e masave të izolimit në Angli.
Departamenti për Shëndetësi ka thënë se do të vazhdojë të shikojë udhëzimet e fundit shkencore dhe do t’i ofrojë Sistemit Kombëtar të Shëndetit në Britani, “gjithçka që i duhet”.
Të martën, kryeministrit Johnson ka thënë se restorantet, kinematë dhe parukeritë do të mund të rihapen më 4 korrik.
Distanca fizike do të zëvendësohet me masën “një metër plus”, që nënkupton se njerëzit duhet të qëndrojnë larg njëri-tjetrit, të paktën 2 metra kur munden, mirëpo përndryshe mund të marrin masa tjera, siç është vendosja e maskës.
Pak pas këtij njoftimit, liderët shëndetësorë kanë bërë thirrje “për rishikim të shpejtë”, të situatës, për të kuptuar sa është e përgatitur Mbretëria e Bashkuar për shpërthimin e ri.
“Ndonëse shkalla e përhapjes së pandemisë në Britani është vështirë e parashikueshme, të dhënat aktuale tregojnë se shpërthimet lokale janë të mundshme dhe se vala e dytë përbën rrezik real”, kanë shkruar ata.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 307,682 persona të prekur me koronavirus.
Prej tyre, 43,011 kanë vdekur.