Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha priti në takim njoftues Ambasadoren e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems.
Ministrja Hoxha uroi Ambasadoren Willems për detyrën e re, njёherit shfaqi përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, jo vetëm në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, por edhe në kuadër të Integrimeve Evropiane.
Në takim, Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadoren Willems për bashkëpunimin dhe përkrahjen që ka ofruar Ambasada e Holandës në Kosovë, veçanërisht Ministrisë së Drejtësisë dhe u zotua për gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit me Ambasadën dhe Ministrinë e Drejtësisë së Holandës.
Ambasadorja Willems, shprehu mirënjohjen e saj për gatishmërinë e Ministres Hoxha për të thelluar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe shfaqi qëndrimet e shtetit Holandez për vazhdimin e bashkëpunimit dhe ofroi ndihmë në rrugën e Integrimit Evropian, duke vlerësuar se perspektiva evropiane është e garantuar për Republikën e Kosovës dhe se Mbretëria e Holandës është e vendosur për të përkrahur dhe ndihmuar këtë proces, duke ofruar ndihmë në sektorin e drejtësisë.