Qendërmbrojtësi i Manchester United, Eric Bailly, u dërgua në spital të dielën mbrëma për shkak të një lëndimi në kokë që e pësoi gjatë humbjes kundër Chelseat në gjysmëfinale të FA Cup.
Bailly u përplas kokë me kokë me kapitenin e Unitedit, Harry Maguire, në fund të pjesës së parë në Qembley, transmeton Gazeta Express.
Përfaqësuesi i Bregut të Fildishtë u ngrit në këmbë fillimisht, por nuk mundi të qëndrojë në këmbë pasi shkoi te vija anësore, kur u vendos në barelë dhe iu dha oksigjen.
Chelsea e fitoi ndeshjen 3:1, duke ia ndërprerë Unitedit ecurinë prej 19 ndeshjeve pa humbje.
“Eric është në spital”, tha trajneri i Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, pas ndeshjes.
“Atij po i bëhen kontrolle rutinore. Nuk di ende asgjë por natyrisht se lëndimi i tij pati ndikim të madh në ndeshjen tonë”, shtoi ai.
Maguire dhe Bailly derdhën gjak pas përplasjes, por Maguire ishte në gjendje ta vazhdojë ndeshjen me një fashë rreth kokës.
Pak para përplasjes me Maguire, Bailly e kishte pasur një incident të ngjashëm me mbrojtësin e Chelsea, Kurt Zouma.