Avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius Von Bonne, ka thënë se mbrojtja planifikon t’i përfundojë hetimet afërsisht deri në muajin gusht.
Ai ka thënë se për çështjen e alibis, do ta paraqes atë dhe se do të ketë dëshmitar lidhur me këtë. Pret të përfundojë intervistat me dëshmitarin brenda dy muajsh.
“Sa i përket çështjes së alibis. Do të ketë një alibi të paraqitur nga mbrojtja, do të ketë edhe dëshmitar lidhur me këtë. Pres t’i përfundojë intervistat me këtë dëshmitar afërsisht brenda dy muajve. Kjo ka të bëjë vetëm me alibin, kjo ka përparësi. Nuk jam i sigurt nëse do të jetë e nevojshme masa mbrojtëse apo kjo për këtë dëshmitar. Nuk mund ta them tash. Sa i përket hetimeve, nuk e parashikoj dot kohën sa na duhen t’i përfundojmë ato. Them se mbase para gushtit do të jemi gati”, ka thënë Von Bonne.
Por nga Prokuroria është kundërshtuar kjo. Ka thënë se çështja është e qartë dhe materialet mbështetëse i ka mbrojtja dhe se është e papranueshme që hetimi të zgjasë deri në gusht, pasi edhe ndikon negativisht në të drejtat e paditurit për një gjykim të shpejt.
Ai ka thënë se ka pasur kohë të mjaftueshme mbrojtja për të kryer këto hetime, dhe se beson se mund të fillohet gjykimi nga fillimi i marsit.
Mbrojtja tutje ka vazhduar të insistojë se duhet kohë për përgatitjen e lëndës.
Avokati i Mustafës ka shtuar se nuk e ka të drejtë prokuroria të parashtrojë argumente për punën e tyre, derisa thekson se ata kanë pasur vite për hetime të tyre, por mbrojtja nuk mund ta paraqesë për një kohë kaq të shkurtë.
“Lëreni mbrojtjen ta bëjë punën e saj. Përparësia këtu është lidhur me alibinë dhe brenda dy muajsh shpresojmë që do ta përfundojmë punë për këtë. Do të na duhet kohë për t’i intervistuar dëshmitarët. Që të paraqesim çështjen si mbrojte padyshim që nuk do të pajtohemi në faktet e prezantuara nga Prokuroria, por për t‘i kundërshtuar ato ne duhet të mbështetemi në dëshmitarë. Kushti do të ishte muaji kur do t’i përfundonim hetimet”, ka thënë ai.
Prokurori tutje ka kërkuar falje nëse mbrojtja është ofenduar, duke shtuar se afatet kohore të paraqitura nga mbrojtja nuk duken të pranueshme për neve si prokurori.
Prokuroria tutje ka propozuar që bashkë me mbrojtjen të ulen për t’i caktuar afatet kohore.