Avokati i Labinot Grudës, Veton Rrecaj, tha se janë në pritje të aktvendimit të Gjykatës Themelore, lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore për paraburgim.
Por siç u shpreh ai, ka kërkuar hetim edhe për disa persona tjerë pasi sipas tij, në zyrën e dyshuar në Thesarin e Shtetit ku janë vjedhur paratë, kanë qenë edhe 13 persona tjerë.
“Ende s’ka vendim. Po presim pas orës 13:00. Si zakonisht prokuroria paraqiti kërkesë të pabazuar. Prokuroria ka paraqitur kërkesë e cila është bazuar vetëm në supozime. Ne si mbrojtje kemi paraqitur argumentet dhe pretendimet tona të cilat janë mirë të argumentuara dhe të logjikshme. Ne presim vendim të drejtë nga gjykata pas orës 13:00”, u shpreh Rrecaj.
Këtu ka shtuar se ka kërkuar nga prokurorja e rastit, së cilës nuk ka dashur t’ia përmend emrin, të hetojë persona tjerë të dyshuar.
“Me rëndësi prokuroria është duke hetuar rastin. Prokuroria duhet të hetojë edhe persona tjerë. Të shikoj prokuroria edhe provat shfajësuese jo vetëm fajësuese. Argumenti kryesor është se i mbrojturi nuk ka punuar në atë zyre vetëm, ka punuar vet i 13-i. Nuk mund të thotë se vetëm ky ka përdorur ose ka keqpërdorur një kompjuter të caktuar për transaksion të pretenduar. Janë 13 persona. Prokuroria duhet ta analizojë e hetojë saktë se cili person ka bërë këtë vendim”, tha tutje Rrecaj, raporton koha.
Sipas mbrojtjes, “është fakt i pakontestueshëm se i mbrojturi nuk ka punuar vet në këtë zyre”.
Ai i ka bërë thirrje ministers Hykmete Bajrami që të japë sqarime nëse të hollat e zhdukuara janë të sigurta.
“I mbrojturi im dyshohet për një transaksion mbi 2 milionë euro nga vendi i tij i punës, e që nuk është e saktë. Dje ministrja Bajrami, ka deklaruar se mjetet, të cilat pretendon Prokuroria që janë keqpërdorur janë të sigurta. Atëherë lind pyetja, si mund të jetë një mjet apo një send i sigurt nëse është vjedhur?”, shtoi Rrecaj.
Labinot Gruda, zyrtar financiar tash e 11 vjet në Departamentin e Thesarit, nga fshati Komoran i Drenasit, është arrestuar të martën.