Një rrëshqitje e dheut ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë segment janë detyruar që ta mbyllin përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren. Ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim.
“Bashkë me ekipet e mirëmbajtjes jemi në teren dhe jemi duke punuar vazhdimisht deri në zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, duke marrë kështu të gjitha masat e duhura në mënyrë që nesër ky segment të jetë i lirë për qarkullim”, ka shkruar Durmishi, në faqen e tij në Facebook.
“Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25”.