Kërkesa për qeveri teknike e zgjedhje të lira e të ndershme ka çuar në një tjetër protestë të opozitës këtë të shtunë, në Tiranë.
Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike nga qytete të ndryshme të vendit u mbledhën në bulevardin përpara Kryeministrisë, në një protestë paqësore, e cila kaloi pa incidente.
Para nisjes së protestës, kryeopozitari Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij shkoi në Selinë Blu ku mbajti një mbledhje me organizatorët e protestës.
Më pas, ai iu bashkua protestuesve, duke marshuar së bashku me ta drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ai mbajti edhe një fjalim përpara mbështetësve, ku ndër të tjera paralajmëroi edhe një protestë tjetër, të cilën e konsideroi si “marshimin final”.
Rreth 2700 anëtarë të PD-së, vullnetarë, u angazhuan për të siguruar që protesta të ishte paqësore duke vendosur një perimetër sigurie.