Mbyllet për publikun gjykimi në rastin “Toka”

Prishtinë | 11 Sht 2019 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Është mbyllur për publikun gjykimi ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar, në rastin e njohur “Toka”.

Për dallim prej herëve të tjera, që ky proces gjyqësor është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën seanca është mbajtur në Gjykatën e Gjilanit.

Një gjë e tillë, ka ndodhur për shkak se Themelorja në Prishtinë nuk ka kushte teknike për dëgjimin e dëshmitarëve përmes vido-linkut, në rastet kur ka shumë të akuzuar.

Në këtë seancë, përmes video-linkut, do të dëgjohet një dëshmitar bashkëpunues.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra ka thënë se për shkak të kësaj, monitoruesit dhe mediat, do të largohen nga salla, përveç monitoruesve të EULEX-it, OSBE-së dhe Ambasadës Amerikane.

Kseancë është caktuar të mbahet, pasi ajo e planifikuar për 5 shtator të këtij viti, kishte dështuar, për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Gazmend Gashi, avokatit Qerim Metaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme