Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, të dielën ka njoftuar se është mbyllur aplikimi për thirrjen publike “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.
Sipas Fondit, mbyllja e parakohshme e kësaj thirrje e cila duhej të qëndronte e hapur deri në fund të muajit, është bërë për shkak të aplikimeve të shumta që kanë përmbushur buxhetin.
“Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të mbi 2000 aplikimeve, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve, kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% bonus për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro”, u tha në njoftim.
Fondi paralajmëroi se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes së tyre dhe tashmë janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit.
“Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument, duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike (Thirrja Publike) deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë”, vijoi njoftimi.
Ky projekt është mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.