Mbyllja e zyrave postare pasi nuk pati mbështetje për hapjen e Urës së Ibrit, aleatët acarohen përsëri me Kurtin

Prishtinë | 06 Gus 2024 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës dje ka mbyllë nëntë objekte të Postës së Serbisë që vepronin ilegalisht në veri të Kosovës. Kundër këtij aksioni fillimisht reagoi Beogradi që vazhdoi retorikën e njëjtë se kjo përbën “terror sistematik”. Më pas Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian reaguan me drojën për eskalime të reja. SHBA tha se aksioni e vë në rrezik jetën e qytetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it e Unioni tha se Kosova shkeli një marrëveshje të Brukselit, ndërsa të dyja e cilësuan si veprim të njëanshëm e të pakoordinuar. Aksioni erdhi tri ditë pasi ambasadorët e vendeve të QUINT’it shkuan te kryeministri Kurti për t’ia tërhequr vërejtjen për një çështje tjetër – atë hapjes së Urës së Ibrit.

Fillimisht, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka informuar se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK). Pas kësaj informate, Policia e Kosovës ka nisur aksionin që përfundoi me mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Ndaj kësaj ngjarje në mbrëmje reaguan dy aleatët kryesorë të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara thanë se ishin të zhgënjyera derisa ngritën shqetësimet për rrezikim të jetës së qytetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it.

“Qeveria e SHBA-së është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postës serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

SHBA i kërkoi Kosovës që këtë çështje ta zgjidhë në tavolinën e dialogut dhe të mos ndërmarrë aksione të tjera.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ngjashëm reagoi edhe Bashkimi Europian, por me një akuzë shtesë se Kosova shkeli një marrëveshje të dialogut lidhur me shërbimet e postës.

“Bashkimi Europian e konsideron mbylljen e sotme të nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar, i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord më 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së dialogut. Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës”, tha BE, duke shprehur gatishmërinë që ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut.

“BE pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje”.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”.

BE tha se i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ambasadori i një vendi anëtar e vazhdoi reagimin duke e vënë në pah se Kosova me këto veprime e mban “të mbërthyer” procesin e aplikimit për anëtarësim në BE që e dorëzoi në dhjetor të 2022-ës.

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka shpërndarë në profilin e tij në X reagimet e SHBA-së dhe BE-së.

“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por – edhe më keq – rrezikojnë që aplikimi për anëtarësim në BE i Kosovës të mbetet i mbërthyer në sirtar”, tha Rohde.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u kënaq me reagimin e BE-së dhe e konsideroi atë “të turpshëm”. Dhe derisa kryeministrin Kurti e akuzoi se po tenton të shkaktojë konlikt të armatosur, ai prezantoi veten si ruajtës të paqes në rajon.

“Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen. Kurti po e bën këtë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, ka thënë Vuçiq.

Pak ditë më parë, Qeveria e Kosovës hasi edhe në kundërshtimin e aleatëve për idenë e saj të hapjes për qarkullim të automjeteve të Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Për këtë çështje më 2 gusht ambasadorëve e vendeve të QUINT-it shkuan në zyrën e Kurtit për t’i thënë që nuk e përkrahin në këtë iniciativë.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, tha pas takimit ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në një deklarim për media.

Por, Qeveria më pas në një komunikatë për media tha se i qëndron pas idesë për hapjen e urës me arsyetimin se ky veprim nuk është kundër askujt.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Europian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë”.

Të ngjashme